Ndërlidhjet

Çështja e të pagjeturve, pa ndryshime


Fotografitë e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë
Fotografitë e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë
Fati i mbi 1800 personave të pagjetur vazhdon të jetë i paqartë edhe 11 vjet pas luftës në Kosovë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur vlerëson se procesi për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, gjatë vitit 2010 nuk kishte dinamikën çfarë do të duhej ta kishte.

Prenk Gjetaj, kryetar i këtij komisioni, thotë se kjo çështje vazhdon të jetë një brengë, si për familjarët, ashtu edhe për institucionet e Kosovës.

“Gjatë këtij viti janë zhvilluar shumë aktivitete në shumë drejtime. Fillimisht ka qenë çështja e zgjidhjes së problemit të mbetjeve mortore, që në të vërtetë ka shënuar një përparim të vogël me identifikime të reja. Pastaj, si angazhim dhe aktivitete kanë qenë hulumtimet dhe gjetjet”, thotë Gjetaj.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve kritikojnë institucionet se nuk po ndërmarrin hapa konkretë drejt zbardhjes së fatit të mbi 1800 personave të pagjetur.

Haki Kasumi thotë për Radion Evropa e Lirë se plani i veprimit, i miratuar në fillim të këtij viti, nuk është zbatuar.

“Qeveritë e Kosovës vazhdimisht po e parashtrojnë çështjen e të pagjeturve si çështje me prioritet, por nuk ka dalë të jetë ashtu në të vërtetë. Plani i veprimit që është miratuar në fillimin e vitit që po e lëmë pas, nuk është realizuar”.

“Ne do të insistojmë që të bëhet shumë më tepër, ngase me këtë ritëm të punës, unë konsideroj se duhen, jo vite, por dekada në zgjidhjen e rasteve”,
deklaron Kasumi.

Sipas tij, çështja e personave të pagjetur nuk ka ndryshuar vite me radhë. Kasumi thotë se autoritetet e vendit nuk i kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e duhur.

“Nuk është shfrytëzuar i gjithë potenciali dhe mundësitë. Për këtë arsye mungojnë edhe rezultatet dhe gjendja vazhdimisht është duke u përkeqësuar”, thotë ai.

Lidhur me kritikat e familjarëve, Prenk Gjetaj thotë se ata kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, porse kjo çështje, sipas tij, është e komplikuar.

“Ne i kemi bërë të gjitha të mundurat dhe po përpiqemi të bëjmë po ashtu gjithçka për kërkesat e familjarëve. Jo vetëm të familjarëve, por janë edhe kërkesa tona që të arrijmë në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Vështirësitë janë të mëdha për faktin se gjurmët e krimeve në shumë vende janë fshehur”,
shprehet Gjetaj.

Drejtuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur thonë se do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi me EULEX-in, në mënyrë që të përshpejtohet identifikimi i mbi 400 mbetjeve mortore.

Mirëpo, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se që nga muaji prill i këtij viti, zyrtarët e EULEX-it i kanë ndaluar punën stafit vendor, që të merret me ekzaminimet e mbetjeve mortore.

“Ka ndodhur një çështje shqetësuese... Ne, pjesëtarët lokalë, duke filluar nga unë si drejtor, që nga prilli i këtij viti, jemi të izoluar komplet nga kjo çështje, edhe pse jemi brendapërbrenda ndërtesës sonë. Kjo është bërë nga ana e zotit Alen Robinson, pjesëtar i EULEX-it, i cili na ka stopuar tërësisht nga kjo çështje”, thotë Gërxhaliu, duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me ngecjet në identifikimin e mbetjeve mortore, që ndodhen në morgun e Prishtinës.

Për rastin, Gërxhaliu thotë se janë të njoftuara edhe institucionet e Kosovës, edhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vend. Por, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, deklaratat e Gërxhaliut i quan të pavërteta.

“EULEX-i nuk ka ndërprerë punën në gjetjen e fatit të personave të zhdukur. EULEX-i vazhdon të punojë me departamentin e mjekësisë ligjore, përfshirë stafin e morgut, stafin e identifikimit, stafin e terrenit dhe stafin hetimor në komunitete. Që nga fillimi i bashkëpunimit të EULEX-it me Ministrinë e Drejtësisë, puna jonë e përbashkët ka rezultuar me gjetjen e 120 personave të zhdukur”.

“Ajo që dua të them është se EULEX-i shpreh keqardhje me deklaratat e pasakta të zotit Gërxhaliu. EULEX-i siguron shoqatat e familjeve të personave të zhdukur se jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë sipas mandatit tonë”,
shprehet Krasniqi.

Në Kosovë aktualisht konsiderohen 1823 persona të zhdukur.

Lexoni edhe këto:
“Jetët e zhdukura”
Zbulohet një varrezë masive në Serbi
XS
SM
MD
LG