Ndërlidhjet

Partitë, përplasje për integrimin


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë



VMRO-DPMNE së bashku me partnerët e koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”, edhe gjatë vitit 2011 do të mbeten të përkushtuar në rrugën e integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe në vazhdimin e reformave në sferat e rëndësishme.

Ky koalicion, që është edhe bartës i pushtetit aktual, ka pranuar se Maqedonia gjatë 2010-ës nuk ka arritur objektivin e saj - marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim - edhe pse kanë kaluar 5 vjet që nga marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, për këtë, ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski, ka fajësuar Greqinë, pasi, sipas tij, për arritjen e zgjidhjes nevojitet sinqeritet edhe nga ana e Athinës.

“Nuk varet gjithçka prej nesh - pragmatizmi nga Athina zyrtare është një dilemë që ende nuk ka përgjigje. Vlerësojmë se Maqedonia është ajo që ka interes real, por, në të njëjtën kohë, vlerësojmë se edhe Greqia duhet ta ketë të njëjtin interes për këtë çështje, me qëllim që t’i afrojmë qëndrimet dhe të presim përparim eventual”.

“Për koalicionin tonë, BE-ja dhe NATO-ja mbeten prioritete në politikën e jashtme të vendit”,
ka deklaruar Milloshovski.

Partia shqiptare në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim, është e vetëdijshme se pa zgjidhjen e kontestit të emrit, edhe në vitin që vjen nuk mund të pritet anëtarësimi i vendit në strukturat euroatlantike.

Nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti, ka thënë se Greqia është në pozitë shumë të favorshme, andaj, ka shtuar ai, çështja e kërkimit të kompromisit i takon Maqedonisë, pasi pa zgjidhjen e këtij kontesti, “as që mund të paramendohet marrja e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim”.

“Republikës së Maqedonisë i mbetet të zgjidhë kontestin rreth emrit me Republikën e Greqisë - gjë që ne nuk e kemi arritur. Pra, derisa nuk zgjidhet kontesti rreth emrit, shumë të qartë e kemi, si njerëz që merremi me politikë, se dyert e NATO-s dhe të BE-së, për fat të keq, do të jenë të mbyllura për Maqedoninë, pavarësisht nëse do t'i plotësojmë ose jo standardet tjera”, ka deklaruar Haliti.

Nga ana tjetër, partitë opozitare thonë se Maqedonia ka dështuar jo vetëm në përmbushjen e standardeve për anëtarësim, por me veprimin e saj, sipas tyre, ka tensionuar edhe raportet ndëretnike. Sipas deputetit të Demokracisë së Re, Sulejman Rushiti, BDI-ja disa herë ka referuar nga qëndrimet e saj.

“E njëjta njëherë thotë se shqiptarët do të hyjnë pa maqedonasit në NATO, pastaj referon nga ai qëndrim. Brenda këtyre dy vjetësh e gjysmë, i kanë dhënë tri afate kryeministrit, por të gjitha këto afate kanë kaluar”.

“Partneri shqiptar i koalicionit bën të njëjtën lojë që bën Gruevski - japin afate, tërhiqen nga afatet, përhapin thashetheme se po bëjnë ndonjë presion, ndërsa, nga ana e tjetër, e mbajnë gjallë Gruevskin dhe politikën e tij izoluese me vetë qëndrimin e tyre pasiv në qeverisje”
, është shprehur Rushiti.

Në samitin e fundit të Bashkimit Evropian është përsëritur qëndrimi se pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë, nuk do të ketë caktim të datës për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe se kjo çështje tani i ka kaluar Hungarisë, e cila në gjashtë muajt e ardhshëm do të kryesojë me BE-në.

Lexoni edhe këto:
Rritet mosbesimi ndaj partive
Shkup: Diplomacia akuzohet për dështim
XS
SM
MD
LG