Ndërlidhjet

PDK-LDK, përgjegjësit e krizës


Ish-partnerët e koalicionit qeverisës...

Ish-partnerët e koalicionit qeverisës...

Qeveria e Kosovës është përgjegjësja kryesore për situatën aktuale politike dhe ekonomike të vendit, vë në pah hulumtimi i fundit i Misionit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara. Hulumtimi flet edhe për perceptimet e qytetarëve lidhur me nivelin e demokracisë, gjendjen ekonomike dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.



Misioni për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka publikuar të dhënat kryesore të Anketës së Pulsit Publik, që flet për kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës për çështje të caktuara, lidhur me zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike.

Derisa në raportin e fundit të publikuar në verën e këtij viti, afro 29% e të intervistuarve kanë qenë të kënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës, tani Qeveria, sipas 54% të të anketuarve, shihet si përgjegjësja kryesore për situatën e tanishme politike të vendit, e përcjellë nga partitë politike (17%) dhe EULEX-i (9%).

Zyrtari i Programit të Pulsit Publik, Atdhe Hetemi, shpjegoi:

“Kur qytetarët janë pyetur se kë e bëjnë përgjegjës për situatën politike në vend, shihet që një numër i madh i respondentëve ia drejtojnë këtë përgjegjësi Qeverisë së Kosovës, duke pasuar pastaj EULEX-i dhe UNMIK-u. Këtu shihet një rënie e atyre, të cilët ia atribuojnë përgjegjësinë UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe shihet një ngritje e atyre që ia atribuojnë këtë përgjegjësi Qeverisë së Kosovës”.

Qeveria e Kosovës, sipas 70.8% të të anketuarve, është po ashtu përgjegjësja kryesore për situatën ekonomike në të cilën gjendet Kosova.

Të pyetur për shkaktarin e krizës politike, e cila e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që u mbajtën më 12 dhjetor, të intervistuarit thuhet se kanë fajësuar njësoj të dy partnerët e ish-koalicionit qeverisës: Lidhjen Demokratike të Kosovës (28%) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (30%).

Anketa, për herë të parë, përshin dhe perceptimet e kosovarëve për nivelin e demokratizimit dhe për gjendjen ekonomike të vendit.

Kriza politike çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme...
Tek indeksi i demokratizimit thuhet se është shikuar nëse zgjedhjet në Kosovë janë të lira dhe demokratike, nëse ekziston liria e fjalës, nëse Parlamenti monitoron Qeverinë, nëse shoqëria civile shërben si monitoruese e zhvillimeve demokratike në Kosovë, nëse Qeveria punon në bazë të prioriteteve të qytetarëve dhe të tjera.

Kryesuesi i Zyrës për Politika dhe Kërkime në UNDP, Mytaher Haskuka, foli për pikëpamjet e kosovarëve lidhur me nivelin e demokratizimit në vend.

“Sipas hulumtimit, shumica e qytetarëve nuk besojnë se proceset demokratike janë duke shkuar ashtu si duhet, në drejtim të duhur”, tha ai.

Hulumtimi i UNDP-së jep po ashtu të dhëna për mendimet e qytetarëve lidhur me shkallën e korrupsionit në institucione të ndryshme, ku Korporata Energjetike e Kosovës konsiderohet si më e korruptuara, pasuar nga Agjencia Kosovare për Privatizim dhe gjykatat.

“Pulsi Publik” bazohet në intervistat e zhvilluara me 1290 qytetarë nga gjini, rajone dhe etni të kategorizuara sipas gjendjes aktuale në Kosovë.

Haskuka bëri të ditur se edhe serbët e pjesës veriore të Kosovës janë përfshirë në hulumtim.

“Mostra është e ndarë në tri nëngrupe dhe nëngrupi i serbëve nënkupton edhe mostrën për veri. Diku 45 % e mostrës së serbëve është nga veriu i Kosovës”, u shpreh ai.

Serbët e veriut vazhdojnë t’i kundërshtojnë institucionet dhe proceset shtetërore të Kosovës, ndërkaq shumica e serbëve të anketuar nga UNDP-ja kanë shfaqur besimin e tyre se në të ardhmen e largët do të normalizohen marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Lexoni edhe këtë:
Votuesit s’e preferojnë koalicionin PDK-LDK
XS
SM
MD
LG