Ndërlidhjet

logo-print
Kryeministri në dorëheqje, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, tha sot se ai do të përfundojë edhe mandatin e dytë si kryeministër i Kosovës, për t’i vazhduar reformat e filluara demokratike. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në 21-vjetorin e themelimit të LDK-së, tha se Kosova ka nevojë për një qeverisje më të mirë.


Ndërsa vazhdojnë dilemat nëse Partia Demokratike e Kosovës, e dalë fituese në zgjedhjet e fundit sipas rezultatit preliminar, do të mund të formojë koalicion qeverisës dhe të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të formuar qeverinë e re, kryetari i saj, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Hashim Thaçi, u zotua se do ta përfundojë edhe mandatin e dytë si kryeministër i Kosovës.

Thaçi tha se reformat nuk kanë të ndalur dhe se ato do të vazhdojnë deri në fund të mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Hashim Thaçi
Kësaj radhe, Thaçi tha se Kosova do ta ketë një opozitë të re, marrë parasysh se partia e tij më nuk do ta ketë partnere qeverisëse Lidhjen Demokratike të Kosovës. Andaj, edhe e ftoi këtë opozitë të re të jetë sa më konstruktive.

“Këto zgjedhje i kanë dhënë edhe një hijeshi demokracisë, sepse do të kemi edhe një opozitë të re - besoj korrekte, konstruktive dhe të shëndoshë për demokracinë. Do të vazhdojmë në kuptimin e mandatit të ardhshëm katërvjeçar deri në vjeshtën e vitit 2014”, theksoi Thaçi.

Në bazë të Kushtetutës, partia e parë apo fituesja e zgjedhjeve merr fillimisht mandatin për formimin e qeverisë. Por, nëse nuk ia del të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Parlament, mandati për formimin e qeverisë i kalon partisë së dytë, para se vendi të rrezikojë me krizë institucionale dhe zgjedhje të reja.

Ishte pikërisht kryetari i partisë së dytë, sipas rezultatit preliminar - LDK-së, Isa Mustafa, ai i cili tha sot se Kosova ka nevojë për një qeverisje më të mirë, në mënyrë që të luftohen dukuritë negative dhe vendi të shkojë drejt integrimeve evropiane.

Isa Mustafa
Këto komente, Mustafa i bëri gjatë shënimit të 21-vjetorit të themelimit të LDK-së.

“Ka edhe punë të tjera shumë të rëndësishme për t’i bërë - ta flakim korrupsionin, t’i luftojmë informalitetet dhe krimin e organizuar, ta fuqizojmë sundimin e ligjit. Qytetarët e Kosovës e meritojnë një qeverisje të pastër. Kosova duhet të udhëhiqet nga ata që e marrin besimin e qytetarëve dhe kurrsesi nga ata që e keqpërdorin votën e tyre”, tha Mustafa.

Sidoqoftë, pritet që formula e ardhshme qeverisëse të qartësohet pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit dhe certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Më pas do të pasojë konstituimi i Kuvendit, ku partia më e madhe ka të drejtën e emërimit të kryetarit të ri të legjislaturës. Kurse, presidenti në detyrë mund ta mandatojë menjëherë pas kryetarin e partisë fituese të zgjedhjeve, që të prezantojë para Kuvendit koalicionin e ardhshëm, marrë parasysh se asnjë parti politike nuk do ta ketë numrin e mjaftueshëm që si e vetme ta formojë qeverinë.

Për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve.

Lexoni edhe këtë: Kalkulimet për koalicion
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG