Ndërlidhjet

Krasniqi, letër institucioneve evropiane për raportin e Martit


Ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi i ka shkruar letër vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, udhëheqësve të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera evropiane, si dhe udhëheqësve të shteteve dhe të parlamenteve të shteteve të tjera, pas publikimit ditë më parë të raportit të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

“Kam konstatuar me shqetësim të veçantë raportin e Raportuesit të Këshillit të Evropës në lidhje me të ashtuquajturin trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikimin ilegal të organeve në Kosovë. Menjëherë kam shprehur indinjatën e thellë për këtë raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Ai ka bërë me dije në letër, se akuza të tilla janë hetuar nga prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e cila, sipas tij më pas i ka mbyllur këto hetime për shkak të mungesës së provave të bazuara.

“Ky raport bazohet tek deklaratat e papërgjegjshme të ish-Kryeprokurores Carla Del Ponte, të cilat nuk janë gjë tjetër veç një inkurajim i ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për të revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë, si dhe për të justifikuar dështimin e saj si prokurore, duke mos vënë para drejtësisë kriminelët e njohur të luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e ushtruesit të detyrës së presidentit.

“Ky raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të ngatërruar viktimat me fajtorin dhe për të relativizuar persekutimin dhe vuajtjet e popullit të Kosovës nën regjimin e Sllobodan Milosheviqit. Nga ana tjetër, ky raport është një përpjekje për të hedhur baltë mbi mbështetjen që forcat demokratike perëndimore i dhanë popullit të Kosovës duke mënjanuar pasojat e gjenocidit dhe pastrimit etnik”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Ai ka thënë se “akuzat e raportit kanë për qëllim të pengojnë njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe të dobësojnë pozitat e qeverisë së Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.

“Me përgjegjësi të plotë, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ushtrues i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, ju garantoj për pastërtinë e luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi i luftimeve dhe deri në mbarim të tyre, me hyrjen në Kosovë të forcave të NATO-s. Në këtë kuadër, garantoj se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në dispozicion të plotë të çdo hetimi vendor apo ndërkombëtar, në mënyrë që akuza të tilla të mbyllen njëherë e përgjithmonë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Ai ka shprehur bindjen se denoncimi dhe “përgënjeshtrimi i këtyre shpifjeve absurde dhe të padenja do t’i kontribuojë pajtimit midis popujve të rajonit tonë dhe shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie”.

Në fund të letrës, Krasniqi ka thënë se mirëpret mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që të mos lejojnë adoptimin e këtij raporti si dokument zyrtar të KE-së, me qëllim sic ka thënë të “mbrojtjes së kauzave tona të përbashkëta për liri, të drejta njerëzore, paqe dhe stabilitet.
XS
SM
MD
LG