Ndërlidhjet

Independent: Dëshmi, ju lutem!


"The guardian" kishte botuar artikullin për raportin e Dik Martit.
"The guardian" kishte botuar artikullin për raportin e Dik Martit.
"Independent"

Shkruan: Denis Mekshejn, anëtar i Parlamentit në Britani dhe ish-ministër për Evropën. Në vitet 2004-2010 ka qenë përfaqësues i Briatnisë së Madhe në Këshillin e Evropës.



Në mes të periudhës së WikiLeaks-it, një tregim tjetër eksplodoi në faqet e para në mbarë botën, e që pretendon se kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte krimineli kryesor i involvuar në vrasjen e njerëzve, për nxjerrjen e organeve të tyre për shitje.

Prej kohës së Pol Potit nuk janë bërë deklarata të tilla për një lider aktual në detyrë në vendin e tij. Thaçi ishte zgjedhur në dhjetor me vetëm 34% të votuesve kosovarë që e mbështetën atë, që është pak më pak se Dejvid Kameruni dhe shumë më tepër se Xhorxh Bushi në vitin 2000.

Asnjë zgjedhje në Ballkan nuk është pa akuza për parregullsi në votime. Partitë politike në Kosovë janë klanore, të lidhura me interesa të dyshimta biznesi dhe të financuara pjesërisht nga diaspora kosovare.

Liderët politikë kosovarë, sikur ata kroatë, malazezë, shqiptarë dhe maqedonas, rregullisht janë të akuzuar (shpeshherë edhe me drejtësi) për shmangien e parave për vete ose për nevoja të partisë politike.

Prandaj, prejse “biznesi” në Ballkanin Perëndimor është më tepër i bazuar në kontrabandë të cigareve dhe trafikimin seksual skllav, sesa në aktivitetin legal ekonomik, politikani që nuk mund të akuzohet se e mban një kompani të keqe, me të vërtetë është një “shtazë e rrallë”.

Thaçi nuk dallon. Por Thaçi, i cili ishte në dhe jashtë pushtetit për një dekadë, operon si politikan që për së afërmi është i mbikëqyrur nga një asortiment i trupave të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, si dhe nga vëzhguesit e jashtëm dhe vizitorët.

Raporti që ka shkaktuar tronditje, ende nuk është miratuar nga Këshilli i Evropës, me përjashtim të një nënkomiteti të panumërt të tij.

Është shkruar nga politikani i fortë dhe avokati prokuror zvicerano-italian, i quajtur Dik Marti. Ai është i afërt me bashkëvendësen e tij italiane, avokate politike, Karla Del Ponte - libri i së cilës në Itali kishte bërë akuza identike me raportin e Martit.

Raporti i zotit Marti nuk është dokument preciz juridik. Ai përmban teori të trazuara të politikës perëndimore, derisa ajo shpalosej në krizën e Kosovës në fund të viteve ‘90.

Në këtë, zoti Marti reflekton politizimin e Këshillit të Evropës, i cili prejse e pranoi Rusinë si anëtare në vitin 1995, ishte përdorur me mjeshtri nga Kremlini për t’i avancuar interesat diplomatike të Rusisë.

Atje Rusia kishte kultivuar aleatë në blloqe të ndryshme politike. Në Britani, anëtari liberal – demokrat i Parlamentit dhe anëtar i Këshillit të Evropës, Majk Hankok, ishte akuzuar nga kryesuesi i Grupit të të gjitha partive britanike parlamentare për Rusinë, se në mënyrë flagrante ishte pro Rusisë në debatet në Këshillin e Evropës.

Anëtarët konservatorë britanikë të Parlamentit në Këshillin e Evropës ulen në të njëjtin grup me delegacionin e zgjedhur nga Vlladimir Putini.

Rusët, me mbështetjen e anëtarëve britanikë konservatorë të Parlamentit, kishin synuar ta vendosnin ish-anëtarin e stafit të KGB-së si president të Këshillit të Evropës, në vitin 2008.

Shkurtimisht, Këshilli i Evropës nuk është ndonjë tubim pa interes i parlamentarëve të Amnesty International ose të Human Rights Watch, por është thellësisht trup i politizuar konfliktuoz, ku shtetet mobilizohen për promovimin e mbështetjes për çështjet e tyre aktuale.

Prioritet i lartë për Kremlinin ishte që ta maksimalizojë mbështetjen për qëndrimin anti-SHBA dhe anti-NATO në Këshillin e Evropës. Rusia ka synuar kultivimin e aleatëve për ta mbrojtur Serbinë dhe shtetet e tjera sllave ose ortodokse nga kritikat.

Përpjekjet nga demokratët socialë të qendrës nga Suedia për promovimin e pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë kundërshtuar.

Gjëra të tmerrshme ishin bërë nga ushtarët serbë dhe paramilitarët në Kosovë, pasi diplomacia e fuqishme e Riçard Hollbrukut në Dejton, para 15 vjetësh, i ndali pasionet nacionaliste serbe të Millosheviqit për më tutje në veri.

Fshatrat e vizituara të Kosovës dhe varrezat myslimane kanë shumë gurrë varresh me njerëzit e lindur në data të ndryshme, por të gjithë të vrarë në të njëjtën ditë, kur skuadrat serbe të ekzekutimit ishin tërbuar.

Njëjtë, gjëra të tmerrshme ishin bërë derisa disa kosovarë kaluan nga rezistenca paqësore dhe pasive e gjatë dy dekada nën Ibrahim Rugovën, në një rezistencë të armatosur, të shkurtër por intensive, 15-18-muajshe, përfshirë edhe vrasje dhe trajtim brutal të bashkëpunëtorëve të regjimit, në stilin e rezistencës franceze në vitin 1944.

Në vend që të synohet paqe dhe pajtim, kanë ekzistuar përpjekje të vazhdueshme nga akset serbo- ruse në Këshillin e Evropës për të pretenduar se Kosova është provincë kriminale separatiste e Beogradit, që një ditë do të kthehet nën pushtetin serb.

Diskreditimi i liderëve të ndryshëm kosovarë, të cilët, pothuajse të gjithë, në një ose mënyrë tjetër, morën pjesë në betejën rezistuese kundër Millosheviqit, që përfundoi me intervenimin Bler-Klinton të NATO-s, në verë të vitit 1999, ishte prioritet i lartë për serbët dhe rusët.

Zoti Marti, së bashku me të tjerët me qëndrim armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Evropës, asnjëherë nuk e ka fshehur kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Ai i ka kundërshtuar thirrjet që Kosovës t’i jepet status i anëtarit ose i vëzhguesit në Këshillin e Evropës.

Senatori Marti është njeri në vete dhe sinqeriteti i tij nuk vjen në pikëpyetje. Ai beson në atë që beson. Por, duke e lexuar raportin e tij me 19 mijë fjalë, paraqitet një problem. Atje nuk ekziston as një emër i vetëm ose një dëshmitar i vetëm i akuzave se Thaçi ishte i involvuar në trafikim të organeve njerëzore nga viktimat e vrara.

Senatori Marti i bën të gjitha për ta nxirë emrin e Thaçit, duke e akuzuar atë se është pak më tepër se kriminel, i cili e ka shfrytëzuar krizën në Kosovë për krijimin e operacionit të stilit mafioz.

Se këto praktika të padëshiruara kanë ndodhur dhe do të ndodhin çdo kund në botë, nuk ka dyshim. Por, zoti Marti ka dështuar ta lidhë Thaçin direkt me trafikun e organeve, megjithëse titulli shokues: “Trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, ishte paraparë për t’i maksimalizuar titujt. (f.b.)
XS
SM
MD
LG