Ndërlidhjet

Qeveri teknike deri në zgjedhje?


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Duke i cilësuar zgjedhjet e parregullta dhe duke kontestuar rezultatin e tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të ndërmarrë asnjë nismë për formimin e ndonjë koalicioni qeverisës, por kërkon një qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja që do të mbaheshin në vjeshtë. Si partia e dytë në bazë të rezultatit preliminar, LDK-ja konsiderohet si opsion rezervë në rast se PDK-ja dështon të formojë qeverinë brenda afatit ligjor.


Formimi i një qeverie teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme është “plani B” i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rast se partia e parë, që doli sipas rezultatit preliminar, dështon të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, thotë se legjitimiteti demokratik i këtyre zgjedhjeve është i dëmtuar. Sipas tij, në këso situate, LDK-ja, qoftë partia e parë apo e dyta, nuk do ta merrte përsipër nismën për formimin e qeverisë së re.

Duke i cilësuar zgjedhjet e 12 dhjetorit të parregullta, LDK-ja thotë se nuk i beson rezultatit të tyre dhe kërkon një proces të ri zgjedhor në Kosovë, gjatë vjeshtës së ardhshme.

“Zgjidhja do të ishte që të formohet një qeveri teknike, me një bazë të gjerë... Të merret vullneti politik nga të gjitha partitë politike që të shkohet në zgjedhje të reja në një afat optimal prej 6, 7 apo 9 muajsh, derisa të përgatiten zgjedhjet mirë. Pra, të jemi në gjendje që diku në fillim apo fund të muajit shtator, të kemi zgjedhje, të cilat do të ishin shprehje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.

“Në të këtë mënyrë, ne do të krijonim kushte që të kemi një përfaqësim më të mirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”
, thotë Gashi.

Në kalkulimet e para pas zgjedhjeve ishte përfolur shumë formula e formimit të qeverisë mes Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe pakicave.

Por, rezultati preliminar si dhe ai që pritet pas rivotimeve të pjesshme, besohet se nuk i garanton PDK-së një qeveri të qëndrueshme, pasi që nuk sigurohen numra që e garantojnë stabilitetin qeverisës dhe mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Po ashtu, edhe AKR-ja i ka vendosur PDK-së disa parakushte, të cilat sikur e pamundësojnë formimin e qeverisë me këtë subjekt politik.

PDK-ja nuk mund të llogarisë as në LDK-në, Vetëvendosjen dhe AAK-në, të cilat nuk e duan atë për partnere në qeveri.

Si alternativë apo “plan B” ishte përmendur formula e qeverisjes në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por as kjo formulë nuk garanton numra të domosdoshëm në Kuvend.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se kjo parti politike do të hynte në ndonjë qeveri të re vetëm me opsionin Ramush Haradinaj kryeministër.

Ndonëse Haradinaj aktualisht është në Hagë dhe pret fillimin e një gjykimi të pjesshëm atje, Ramadani, megjithatë, thotë se pa këtë kusht, AAK-ja nuk do të hyjë në asnjë qeveri të re.

“Aleanca e ka deri tash qëndrimin mjaft të qartë, që do të hyjë në çfarëdolloj koalicioni me zotin Ramush Haradinaj kryeministër. Përndryshe, AAK-ja do ta vazhdojë punën e vet në opozitë - një punë të fuqishme si një opozitë konstruktive - duke pritur zgjedhjet e ardhshme, të cilat shpresojmë se do të mbahen shumë shpejt”, thotë Ramadani.

Situata e krijuar, kur shumica e partive nuk preferojnë të përfshihen në qeverinë e re, por presin zgjedhje të shpejta, i ngjan tashmë një ngërçi politik e institucional.

Andaj edhe konsiderohet se, nëse dy partitë e mëdha nuk do t’ia dalin të formojnë qeverinë e re, atëherë zgjedhjet e reja janë imponimi i radhës për Kosovën dhe elektoratin e saj.
XS
SM
MD
LG