Ndërlidhjet

Shumë vëzhgues, pak sukses


Votimet e 12 dhjetorit.

Votimet e 12 dhjetorit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, pos tjerash, i ka karakterizuar dhe numri i madh i vëzhguesve. Mbi 32 mijë syresh kanë mbikëqyrur votimet e 12 dhjetorit.

Ndonëse i vlerësuar si numër rekord, si i vëzhguesve vendorë, ashtu edhe i atyre ndërkombëtarë, zhvillimi i procesit zgjedhor është përshkuar me, siç thuhet, keqpërdorime dhe parregullsi të mëdha.

Drejtuesit e “Demokracisë në Veprim”, organizatë kjo që ka monitoruar zgjedhjet, kritikojnë vetë vëzhguesit që, sipas tyre, nuk i kanë përmbushur obligimet që ua ka caktuar misioni.
Numri i tepërt i vëzhguesve, siç ka ndodhur në vitin 2010, është pengesë për procesin.

Ismet Kryeziu shpjegon më shumë:

“Numri i tepërt i vëzhguesve, siç ka ndodhur në vitin 2010, është pengesë për procesin... Të drejtën ose akreditimin e tyre në emër të vëzhguesit, e shfrytëzojnë si të drejtë për të ndikuar në procesin zgjedhor ose në votuesit, të cilët gjatë ditës iu drejtohen kutive të votimit”.

Ndonëse të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe vetë përfaqësuesit e këtij organi patën shprehur shqetësimin se numri i madh i vëzhguesve do të komplikonte procesin zgjedhor, për shkak të hapësirave të ngushta ku do të zhvilloheshin zgjedhjet. Vetëm nga partitë politike ishin të angazhuar 26.059 vëzhgues.

Ismet Kryeziu pohon se kjo çështje ishte ngritur për diskutim qysh para 12 dhjetorit.

“Kemi kërkuar që më së shumti të jenë dy vëzhgues për një vendvotim, por ne, si shoqëri cilivile, nuk kemi mundur ta çojmë këtë çështje më tutje. Partitë politike, normalisht, kanë marrë vendime të kundërta nga ajo që kemi kërkuar ne”.

“Më 12 dhjetor kemi pasur një numër enorm të vëzhguesve partiakë, të cilët po shihet që absolutisht nuk e kanë ndihmuar procesin; përkundrazi, e kanë dëmtuar atë”
, thotë Kryeziu.

Praninë e numrit të madh të vëzhguesve në zgjedhjet parlamentare e sheh si të paefektshme edhe ish-kryetari i KQZ-së, Zait Xhemaili.
Pavarësisht faktit se ka qenë i angazhuar një numër i madh i vëzhguesve, e pamë se parregullsitë prapë kanë ndodhur.

“Pavarësisht faktit se ka qenë i angazhuar një numër i madh i vëzhguesve, e pamë se parregullsitë prapë kanë ndodhur. Disa parregullsi ishin përgatitur edhe më herët”
, thekson Xhemaili.

Komisioni Qendror Zgjedhor tashmë ka hartuar planin operacional për përsëritjen e zgjedhjeve në pesë komuna të Kosovës, ku për shkak të parregullsive, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte vendosur të ketë rivotim.

KQZ-ja edhe gjatë këtij rivotimi do të akreditojë vëzhgues, si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë. Deri më tash është bërë e ditur se koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim” do t’i ketë të angazhuar rreth 4 mijë mbikëqyrës të zgjedhjeve.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, ka thënë se BE-ja dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës do t’i bashkojnë përpjekjet për t’i inkurajuar qytetarët që rivotimi i datës 9 janar të bëhet në pajtim me ligjet e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare.

Këtë proces do ta mbikëqyrin rreth 90 ekipe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të qëndrojnë në qendrat e votimit pa u larguar nga ora 7:00 e mëngjesit, kur do të hapen vendvotimet, e deri në orën 19:00, kur do të mbyllen ato.

Këtë ndihmë, KQZ-së ia ka premtuar shefi i ICO-së në takimet që ka pasur me kryetaren Valdete Daka.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG