Ndërlidhjet

logo-print

Kamatat e larta pengojnë bizneset


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Ekonomia dhe bizneset në Kosovë varen nga kreditë bankare, ndërsa këto të fundit vazhdojnë të jenë me norma të larta të interesit dhe një gjë e tillë nuk krijon kushte të favorshme për zhvillimin e bizneseve, thonë ekspertë të kësaj fushe.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se një numër i madh i kërkesave të bizneseve për kredi, presin me muaj të tërë shqyrtimin nga bankat, pavarësisht normave, siç i quan ai, të këqija të interesit.
Bankat në Kosovë kanë interesin më të lartë - deri në 18 për qind.


“Bankat në Kosovë kanë interesin më të lartë - deri në 18 për qind. Kjo i dëmton investimet, i dëmton bizneset dhe i dëmton të gjithë ata që tentojnë të hyjnë në biznes. Është e pamundur që dikush të ketë kapital të freskët për të hyrë në biznes pa mbështetje të bankës”.

“Prandaj, ne, si Aleancë e Biznesit, kemi adresuar shumë herë kërkesa, por edhe kritika në banka, për të bërë atë që bëhet në vendet rajonale, për t’i krahasuar forcat konkurruese, në këtë rast në nivel të interesit të njëjtë”
, thotë Shahini.

Eksperti për ekonomi, Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, thotë se kreditë bankare në Kosovë nuk krijojnë kushte për zhvillimin e bizneseve.

Sipas tij, politika kreditore parqet një instrument shumë të rëndësishëm të qeverisë, përmes së cilës ajo orienton dhe zbaton qëllimet e parashtruara zhvillimore.

Limani thotë se në Kosovë, qeveria nuk mund të intervenojë te bankat për të bërë një politikë të drejtë dhe të shëndoshë që është në funksion të biznesit vendor. Si pasojë e kësaj, shton Limani, bankat në Kosovë i bëjnë vetë politikat kreditore.
Sipas të gjitha gjasave, këto banka kanë bërë një marrëveshje të fshehtë në mes vete dhe janë dakorduar që norma e kamatës për kreditë e dhëna të jetë diku rreth 15 për qind...


“Sipas të gjitha gjasave, këto banka kanë bërë një marrëveshje të fshehtë në mes vete dhe janë dakorduar që norma e kamatës për kreditë e dhëna të jetë diku rreth 15 për qind mesatarisht. Kjo është normë e papërballueshme për biznesin dhe ngarkesë shumë e madhe”.

“Kjo i eksplaton bizneset dhe normalisht ua merr një pjesë të konsiderueshme të akumulimit të investimeve. Në këtë mënyrë ua përkufizon mundësitë investuese që ata të ecin më tutje, qoftë për rikonstruim, modernizim apo për ngritjen e kapaciteteve të reja”,
deklaron Limani.

Ai thotë se normat e larta të interesit zvogëlojnë interesimin për kredi, gjë që ndikon në zvogëlimin e investimeve. Sipas Limanit, investimet e vogla nuk mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, andaj, shton ai, vjen deri të zvogëlimi i prodhimit dhe largimi i punëtorëve nga vendet e punës.

Ndërkaq, Agim Shahini thotë se bankat nuk duhet t’i shikojnë bizneset vetëm si kredimarrëse, por edhe si partnere në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

“Ekonomia e Kosovës krijohet vetëm në raporte të shëndosha të partneritetit në mes të bizneseve dhe bankave. Edhe bankat janë biznes. Por, ato e kanë produktin më të kërkuar për t’u shitur dhe ato janë paratë”.

“Këto para në Kosovë janë të shtrenjta dhe për çdo ditë po bëhen më të kërkuara. Politikat ekzistuese në Kosovë, të gjitha paratë po i çojnë kah eksporti, për të importuar produkte të gatshme”
, thotë Shahini.

Sipas tij, normat e larta të interesit janë një prej arsyeve të mosardhjes së investimeve të huaja në Kosovë.

Qeveria e Kosovës duhet ta hartojë strategjinë, e cila do të kishte një politikë adekuate kreditore që do të duhej ta zbatonte përmes Bankës Qendrore, thotë Musa Limani.

“Ajo (Qeveria e Kosovës), përmes Bankës Qendrore, përcakton kornizat e përgjithshme të normave të interesit. Për shembull, ‘prej-deri’ - jo saktësisht”.

“Pra, nëse ne duam ta zhvillojmë bujqësinë ose industrinë, atëherë qeveria merr vendim dhe përmes Bankës Qendrore, thotë: ‘të gjithë ata, të cilët e avancojnë kapitalin e tyre në industrinë përpunuese ose në bujqësinë përpunuese, do të marrin kredi me kushte të volitshme, me normë të interesit prej 4 deri në 8 për qind, për një afat prej 5-10 vjetësh, me një ‘green-periudhë’ 3-5 vjet dhe me kushte të tjera’. Kjo është ajo që duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës”,
thekson Limani.

Sipas drejtuesve të Aleancës Kosovare të Biznesit, gjatë këtij viti në Kosovë janë mbyllur mbi 1,300 biznese për arsye të ndryshme, por në shumë raste si pasojë e pamundësisë së kthimit të kredisë, për shkak të normës së lartë të interesit.

Lexoni edhe këtë:

Shuarja e bizneseve dhe pasojat e tyre
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG