Ndërlidhjet

Pakistan: Nga sulmi vetëvrasës me bombë – 29 të vrarë


Së paku 29 vetë janë vrarë nga një sulm vetëvrasës me bombë në pjesën veri-perëndimore të Pakistanit, afër kufirit me Afganistanin.

Raportohet se shpërthimi ndodhi sot, në një qendër për shpërndarje të ushqimit në Khar, të provincës Bajaur.

Zyrtari lokal, Sohail Khan, tha se “së paku 29 vetë kanë vdekur dhe më se 40 të tjerë janë plagosur, nga sulmi vetëvrasës me bombë”.

Sipas tij, qendra për shpërndarjen e ushqimit shfrytëzohet nga Programi Botëror i Ushqimit dhe agjencitë e tjera, për dhënien e ushqimit për njerëzit e prekur nga konflikti në këtë rajon.

Mendohet se viktimat ishin duke pritur për ushqim.

Mjeku i spitalit lokal, Mohamad Hafiz, e konfirmoi numrin e të vrarëve, por theksoi se ai mund të rritet për shkak se disa të plagosur janë në gjendje kritike.

Gjatë tri viteve të fundit, në Pakistan kanë ndodhur mbi 200 sulme vetëvrasëse me bomba, e veçanërisht në pjesën veriperëndimore të këtij vendi.
XS
SM
MD
LG