Ndërlidhjet

logo-print

Mulliqi: Kosova pa strategji për kulturën


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Një varg aktivitetesh kulturore e kanë karakterizuar vitin 2010, por edhe ndryshimet në kreun e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sami Piraj, zyrtar në Ministrinë e Kulturës, thotë se ky vit ka qenë i begatë, për faktin se janë realizuar mjaft festivale të natyrave të ndryshme, të spektrit kulturor. Ndërkaq, dramaturgu Haqif Mulliqi thotë se Kosova ende vazhdon të mos ketë një strategji për zhvillimin e kulturës. Piraj dhe Mulliqi vlerësojnë se ndërrimi i ministrave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka pasur reflektime jo të mira.


Viti 2010 është karakterizuar me mjaft aktivitete në fushën e kulturës dhe artit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka realizuar planin programor të paraparë për këtë vit, vlerësojnë zyrtarë të kësaj ministrie.

Por, përfaqësuesit e komunitetit të artistëve thonë se, megjithëqë janë shënuar një varg aktivitetesh kulturore, investimet në kulturë, në Kosovë, janë më të paktat në rajon dhe se në këtë drejtim mbetet mjaft për t’u dëshiruar.

Sami Piraj, drejtor i Departamentit të Kulturës, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thotë se gjatë këtij viti ministria ka qenë e orientuar në mbështetjen e aktiviteteve kulturore të institucioneve, të cilat janë vartëse të saj, por edhe të projekteve të organizatave joqeveritare dhe festivaleve të ndryshme.
Konsideroj se ka qenë një vit i begatë, për faktin se janë realizuar mjaft festivale të natyrave të ndryshme...


“Konsideroj se ka qenë një vit i begatë, për faktin se janë realizuar mjaft festivale të natyrave të ndryshme, të spektrit kulturor, duke filluar nga festivalet e filmave, festivalet e muzikës, festivalet e dramës. Pastaj, institucionet kredibile të Ministrisë së Kulturës, paraprakisht kanë realizuar planprogramin e punës, duke dhënë mjaft fakte për një kulturë, e cila është në zhvillim e sipër”,
thotë Piraj.

Ndryshe, me nismën e përfaqësuesve të komunitetit të artistëve, gjatë këtij viti janë realizuar një varg festivalesh të filmit, si: “Prifilm Fest”, “DokuFest”, “9/11”, “Skena UP”, pastaj festivale të muzikës klasike, siç janë “Kamerfest”, “Remuzika”, “Ditët e Shopenit”, festivali i dramës ”Kosova Infest” etj.

Dramaturgu Haqif Mulliqi vlerëson se një qasje pozitive e institucioneve qeveritare të kulturës, gjatë këtij viti është vërejtur sa i përket prodhimtarisë filmike.

Gjatë këtij viti, sipas tij, janë prodhuar dy filma, si dhe ka filluar xhirimi edhe i një filmi tjetër. Ndërkaq, siç thotë Mulliqi, teatrot, të cilat mbështeten nga institucionet qeveritare të kulturës, kanë shënuar ngecje dhe po ballafaqohen me probleme të shumta.

“Ajo që mbetet për të dëshiruar dhe që objektivisht po mbetet një plagë, e cila po riciklohet nga viti në vit, nga një administratë shtetërore e kulturës tek administrata tjetër, është qasja që e kanë institucionet ndaj kulturës dhe zhvillimit të saj. Këto institucione, të cilat janë në varshmëri të drejtpërdrejtë prej shtetit, duket se janë të goditura”.

“Kjo është mungesa e një strategjie të zhvillimit të kulturës në vendin tonë. Por, kanë ndikuar edhe politikat iracionale, të cilat i kanë institucionet tona në rrafshin kulturor, duke pasur parasysh, në radhë të parë, kulturën”,
vlerëson Mulliqi.

Dramaturgu Mulliqi, gjithashtu shton se, gjatë këtij viti është shënuar edhe ndërrimi i ministrave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe këto ndryshime kanë pasur reflektime edhe në vijimësinë e zhvillimit të kulturës.
Nëse mungon plani strategjik për zhvillimin e kulturës, çfarëdo ndryshimi që bëhet në administratë, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.


“Unë mendoj që kanë ndikim, për arsye se, unë besoj që Kosova është i vetmi vend në rajon, i cili nuk e ka një plan strategjik për zhvillimin e kulturës. Nëse mungon plani strategjik për zhvillimin e kulturës, çfarëdo ndryshimi që bëhet në administratë, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë”.

“Kjo, sepse e gjithë strategjia, do të thotë, e përkohshme, do të jetë e ndërtuar ‘ad hok’, që do të thotë se do t’i nënshtrohet vullnetit të dijes dhe preferencave të administratës së re, duke nisur nga ministri dhe njerëzit, të cilët e bëjnë këtë kulturë”,
thekson Mulliqi.

Por, Piraj thotë se ndryshimet në kreun e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk kanë ndikuar në zhvillimin e kulturës, në rrafshin e brendshëm. Por, sipas tij, këto ndryshime kanë ndikuar në rrafshin e jashtëm.

“Natyrisht që dorëheqja e ministrit ka pasur edhe mangësi. Vizitat e ministrit në shumë asociacione, sepse Ministria e Kulturës, përveç politikave të brendshme, ka edhe problemet e ballafaqimit me politikat e jashtme, të cilat i parashtron ministri”.

“Do të thotë, janë probleme të bashkëpunimit ndërshtetëror, para së gjithash ndërkulturor me vendet e ndryshme të rajonit apo edhe të botës, qoftë në organizimin e manifestimeve të ndryshme në baza reciproke. Kjo është, konsideroj unë, ajo pikë më e diskutueshme që mbetet sfidë edhe për të ardhmen”,
përfundon Piraj.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG