Ndërlidhjet

Veriu – vend i kontrabandës


Pikë kufitare me Serbinë

Pikë kufitare me Serbinë

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vendi më i preferuar për kontrabandë të mallrave, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje dhe ekspertë për çështje ekonomike. Përderisa këta të fundit thonë se humbjet janë të mëdha nga ky fenomen, përfaqësues të Doganave tregojnë se nga vendosja e doganierëve të EULEX-it në atë pjesë, humbjet janë mbi 50 për qind më të vogla.


Vendkalimet kufitare me Serbinë në pjesën veriore të Kosovës, vazhdojnë të mbesin portat kryesore për kontrabandë të mallrave të ndryshme, thonë autoritetet kompetente dhe njohësit e çështjeve ekonomike.

Aleanca Kosovare e Biznesit viteve të fundit është marrë me hulumtimin e ekonomisë joformale në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Milazim Abazi, nga kjo aleancë, thotë se buxheti i Kosovës gjatë një viti humb mbi 80 milionë euro nga ekonomia e paligjshme nga kjo pjesë e Kosovës.
Kontrabanda në veri është problemi më i madh në Kosovë, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik...


“Kontrabanda në veri është problemi më i madh në Kosovë, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik, pasi po shkakton shumë probleme në raport me rregullat e tregut. Shumë mallra futen kontrabandë dhe prishin lojën në treg”,
thotë Abazi.

Sipas Abazit, rritjes së nivelit të ekonomisë së paligjshme i ka kontribuuar mosprania e doganierëve kosovarë në pikat kufitare.

Ndryshe, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, serbët kishin djegur pikat kufitare në Leposaviq dhe Zubin Potok, të njohura si Pika 1 dhe 31, periudhë kjo kur edhe janë larguar doganierët kosovarë nga kjo pjesë.

Ndërkaq, që nga muaji shkurt i vitit 2009, në këto pika kufitare janë doganierët e EULEX-it, të cilët i regjistrojnë, por nuk i zhdoganojnë mallrat që hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Adriatik Stavileci nga Doganat e Kosovës, pohon se zhdoganimi i tyre bëhet në terminalin doganor, që gjendet në jug të Mitrovicës.

Stavileci thotë se prania e doganierëve të EULEX-it, ka arritur që të reduktojë kontrabandën për mbi 50 për qind.
Me vendosjen e ekipeve tona mobile më poshtë (në jug të Mitrovicës) dhe me vendosjen e EULEX-it, ne dukshëm kemi parë një rënie të kontrabandës.


“Me vendosjen e ekipeve tona mobile më poshtë (në jug të Mitrovicës) dhe me vendosjen e EULEX-it, ne dukshëm kemi parë një rënie të kontrabandës. Nëse një vit më herët kemi mbledhur më shumë se 30 milionë euro prej pjesës veriore, këtë vit kemi mbledhur mbi 55 milionë euro vetëm nga këto dy pika. Ndërsa, totali i të hyrave gjatë këtij viti, është 10.2 për qind më shumë se vitin e kaluar”,
thekson Stavileci.

Edhe zyrtarë të qeverisë në dorëheqje, pranojnë se ekonomia joformale është e pranishme në veri të Kosovës. Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, thotë se prioritet për qeverinë e ardhshme do të jetë lufta kundër ekonomisë joligjore.

“Uroj që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare ne të kemi kontrollin e qindpërqindtë në veri dhe të mbyllim atë ventilator të dëmshëm jo vetëm ekonomikisht, po edhe politikisht”
, deklaron Shala.

Veriu i Kosovës është cilësuar shpesh edhe nga vetë autoritetet kosovare si oazë e krimit. Prishtina zyrtare nuk ka shtrirë ende kontrollin e saj në atë pjesë, siç nuk ka bërë as misioni evropian për sundimin e ligjit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG