Ndërlidhjet

Maliqi: Veriu, përgjegjësi e EULEX-it


Reshat Maliqi
Reshat Maliqi
Synojmë që për gjashtë muajt e ardhshëm, të marrim sa më shumë nga fuqia ekzekutive e EULEX-it, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Reshat Maliqi, drejtor i Policisë së Kosovës.







RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, një prej problemeve, me të cilat përballen të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë këtu edhe institucionin që ju drejtoni, është funksionimi i strukturave paralele në veri të vendit. Sa keni njohuri ju për këto struktura?

RESHAT MALIQI

Është e vërtetë që edhe unë, si pjesëtar i Policisë së Kosovës, edhe në të kaluarën, por edhe tani, nga pozita që e bart, kam njohuri se atje ekzistojnë struktura ilegale që janë në kundërshtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Dhe, në të gjitha takimet e mia që kam pasur me policinë e EULEX-it dhe me komandantin e KFOR-it, kam kërkuar që ata njerëz të ndalen, të bastisen, ata njerëz të legjitimohen dhe për çdo veprim që është në kundërshtim me ligjin, për çdo aktivitet kriminal, ata edhe të arrestohen. Premtimet e tyre kanë qenë çdo herë që "do të bëjmë".

Është një operacion i përbashkët, i cili zhvillohet përmes Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it – është shtuar numri i pikave të kontrollit në qytetin e Mitrovicës, sidomos në pjesën veriore dhe tani një pjesë e kriminelëve, që e dinë se policia ka njohuri për aktivitetet e tyre kriminale, nuk i zgjedhin ato rrugë ku ata mendojnë se ka pika të kontrollit nga ana e policisë dhe KFOR-it.

Domethënë, ata shfrytëzojnë edhe rrugë tjera alternative. Unë besoj se tani, me deklaratat e kryesuesit të EULEX-it, De Kermabo, edhe të përfaqësuesve të tjerë, do të jepet një grusht më i fuqishëm sesa që i është dhënë deri më tani krimit të organizuar atje, e sidomos strukturave tjera që veprojnë ilegalisht në pjesën veriore të Mitrovicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Realisht, sa e keni të shtrirë kontrollin në veri të vendit?

RESHAT MALIQI

Është përgjegjësi ekzekutive e EULEX-it. Synimet tona për gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm janë që të marrim sa më shumë nga fuqia ekzekutive e EULEX-it që ka edhe në pjesët tjera të Kosovës, e posaçërisht në veri, që të jetë përgjegjësi e Policisë së Kosovës, dhe në atë drejtim ne do të punojmë.

Ne kemi rënë dakord që së shpejti do ta ngremë numrin e policëve që do të punojnë si polici në bashkësi, sidomos në tri vendbanimet ku kemi popullatë të përzier në pjesën e veriut, në mënyrë që qytetarët të kenë një ndjenjë më të fuqishme të sigurisë se edhe atje ka filluar të ketë sundim të ligjit.

Në të gjitha rastet i kam ftuar të gjithë, kur kemi dëshmi për aktivitete kriminale të kujtdo qoftë, unë do t’i sfidoj kolegët e mi dhe do ta sfidoj edhe EULEX-in, dhe do të kërkoj me emër dhe mbiemër që ky person duhet të arrestohet, sepse ai nuk e meriton të shëtisë rrugëve të Mitrovicës i lirë.

Atje janë edhe disa kompani të sigurimeve, për të cilat ne dyshojmë se janë të involvuara në krim të organizuar. Me një takim që kam pasur me përfaqësues të EULEX-it dhe KFOR-it, unë u kam thënë se asnjë nga kompanitë e sigurimeve private në Kosovë nuk anë leje për mbajtjen e armëve.

Tek ata shihet se disa prej tyre edhe bartin armë - që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe kam kërkuar që ata individë të ndalen, të pyeten a posedojnë ndonjë leje dhe nëse posedojnë çfarëdo leje nga strukturat ilegale, ato janë të paligjshme dhe të papranueshme për ne. Në atë rast, ata persona duhet arrestuar dhe duhet dërguar në gjykatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kontrollohen kufijtë në veri të vendit nga Policia e Kosovës?

RESHAT MALIQI

Ekziston një kontroll tashmë më i mirë edhe në Pikën 1 dhe 31, atje regjistrohen mallrat, mirëpo regjistrohen edhe qytetarët, ndonëse jo të gjithë, por një numër i tyre, regjistrohet.

Synimet tona në të ardhmen janë që gradualisht të bëjmë përpjekje që t’i ndalim dhe të regjistrohet çdokush dhe të respektohet. Pavarësisht kësaj, në pjesën jugore kemi një Task-forcë, e cila merret me kontrollin e kontrabandës, sepse shumë mallra që arrijnë deri në pjesën veriore të Mitrovicës, shpërndahen nëpër pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës ku janë të involvuar edhe vetë shqiptarët në kontrabandim.

Në këtë drejtim kemi rezultate mjaft të mira, sepse kemi konfiskuar një sasi goxha të mirë të mallrave të ndryshme që ata mendonin ta shpërndanin nëpër pjesë tjera të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë më parë disa pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë fituar rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Strasburg, duke detyruar Beogradin që t’u paguajë atyre pagat paralele karshi pagës që marrin ata nga institucionet e Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

RESHAT MALIQI

Policët tanë në pjesën veriore të Mitrovicës paguhen nga buxheti i Kosovës, nga taksapaguesit e Kosovës dhe bartin uniformat dhe emblemën e Kosovës dhe ne kërkojmë që ata të punojnë për interesa të qytetarëve të Kosovës, ata të punojnë për interesa të institucioneve dhe të vetë Policisë së Kosovës.

Rol të dyfishtë ne nuk do të tolerojmë, nëse kemi dëshmi se ata vërtet veprojnë ashtu apo paguhet dikush, sepse është krejt normale që ai që të paguan kërkon edhe llogari. Për këtë ka mjaft fjalë, unë nuk kam ndonjë dëshmi. Në momentin që siguroj ndonjë dëshmi për këdoqoftë, pa pardon, nuk jam i gatshëm që së paku t’i jap pagë nga popullata e Kosovës.
XS
SM
MD
LG