Ndërlidhjet

logo-print

Shugurohet Teodosije


Peshkopi Teodosije dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në Manastirin e Deçanit më 6 janar 2010.

Peshkopi Teodosije dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në Manastirin e Deçanit më 6 janar 2010.

Menjëherë pas shugurimit të tij, peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë e Prizren, Teodosije, foli edhe për raportin e Dik Martit për Kosovën, duke i mallkuar të gjithë të apostrofuarit për trafik organesh. Shugurimi i Peshkopit Teodosije u bë në kishën “Shën Gjergji” në Prizren, ku morën pjesë dhe përfaqësues të tjerë të Kishës Ortodokse Serbe, përfaqësues të Qeverisë së Serbisë dhe ata të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.


Në Kishën e “Shën Gjergjit” në Prizren u bë shugurimi i peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë dhe Prizren, Teodosije.

Liturgjinë e shugurimit e mbajti patriarku serb, Irinej. Ai tha se serbët kanë përjetuar gjëra të tmerrshme dhe se atyre tash u mbetet që të luten që të kthehen në shtëpitë e veta.

“Çka na mbetet tash, motra dhe vëllezër?! Vetëm se t’i drejtohemi Zotit që të ndalen vuajtjet tona, shkatërrimi i trashëgimisë dhe të fillojmë një faqe të re të historisë sonë në Kosovë, para së gjithash që populli të kthehet pavarësisht se shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Por, kjo nuk do të ishte hera e parë që do të ktheheshim në vendin tonë dhe ta rindërtonim atë”,
tha patriarku Irinej.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe ministrat në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq dhe Ivica Daçiq.

Zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, Qeveria e Kosovës u kishte vënë një prej parakushteve që të përmbahen nga mesazhet politike që ata të mund të vinin në Prizren. Por, përderisa Daçiq dhe Bogdanoviq, kryesisht u përqendruan në qytetin e Prizrenit, të cilin e cilësuan të rëndësishëm për historinë e Serbisë, Peshkopi Teodosije u përkujdes për politikën.

Ai foli edhe për raportin e Dik Martit për Kosovën, duke i mallkuar të apostrofuarit në këtë raport për trafik organesh.

“Ata që kanë trafikuar organe të serbëve, kanë përfituar para të majme”,
tha Teodosije.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk i komentuan deklaratat e tij. Ndërkaq, Policia njoftoi se ceremonia ka kaluar qetë dhe pa incidente. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se Policia i ka përcjellë eskortat që hynë në Kosovë gjatë gjithë kohës.

“Në kuadër të informacioneve që posedojmë, të gjitha ecuritë kanë kaluar në bazë të planit policor, sa i përket aspektit të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, si dhe përcjelljes së eskortës që ka hyrë në Kosovë me lejen e Qeverisë. Pra, nuk është shënuar ndonjë incident”,
njoftoi Kelani.

Për sigurinë u përkujdesën edhe ushtarët e forcës së KFOR-it dhe policia e EULEX-it. Kurse, në ceremoni mori pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler.

Një ditë më parë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës patën konfirmuar se u kanë dhënë leje qëndrimi në Kosovë ministrave dhe zyrtarëve tjerë serbë, por me kusht që ata t’i përmbahen agjendës dhe të qëndrojnë në Prizren për ceremoninë fetare dhe të mos e shfrytëzojnë atë për deklarata e thirrje politike.

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daciq, tha se Prizreni është qytet i lashtë dhe shumë i rëndësishëm për historinë e Serbisë. Ai, bashkë me ministrin e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, shëtitën nëpër qytet dhe u panë duke pirë ujë në shatërvan.

Pas 11 vjetësh, kjo ishte hera e parë që Kisha Ortodokse Serbe mban një liturgji të tillë në Prizren, pasi që paraprakisht ato i kishte zhvilluar në Graçanicë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG