Ndërlidhjet

Trajtim i mangët për hepatitet virale


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Metodologjitë e reja të diagnostikimit dhe trajtimit të hepatiteve virale në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, janë një sfidë jashtëzakonisht e madhe, ndërkohë që frekuentimi i pacientëve në klinikën infektive është gjithnjë në rritje.

Infektologu Valbon Krasniqi thotë se, edhe pse nuk ka statistika të sakta se sa është numri i të infektuarve me hepatite virale, tendenca është në rritje, duke e marrë parasysh numrin e madh të pacientëve që frekuentojnë këtë institucion.

“Për trendin e hepatiteve virale B dhe C që përcillen me rrugë seksuale dhe me kontakte të gjakut, mund t’ju them se ne nuk kemi të dhëna të sakta, por raste të tilla identifikohen çdo ditë e më shumë. Diagnostikimi dhe trajtimi kërkon një qasje bashkëkohore, e që kushton shtrenjtë, por fatmirësisht Ministria e Shëndetësisë ka siguruar një sasi të caktuar të terapisë më të re që aplikohet në vendet evropiane”,
bën të ditur Krasniqi.

Në anën tjetër, Faik Hoti, drejtor i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se patologjia e hepatiteve është shumë e njohur për infektologët kosovarë dhe duke e marrë parasysh numrin në rritje, Ministria e Shëndetësisë ndan mjete të caktuara për terapinë kundër hepatitit.
Planifikimi i mirë dhe rritja e buxhetit do të mundësonte që mbulimi në përgjithësi i terapisë, të jetë më i mirë.


”Për disa kategori të veçanta si hepatiti, Ministria e Shëndetësisë ‘okupon’ pjesën më të madhe të buxhetit në shëndetësi. Sa i përket sigurimit të terapisë, Klinika infektive ka pasur një mbulim të qëndrueshëm për shkak të rëndësisë vitale që ka”.

“Janë disa lloje të hepatitit dhe buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund ta mbulojë perfekt me terapi, sepse Kosova nuk mund të krahasohet me vendet e rajonit, por është një terapi e qëndrueshme. Planifikimi i mirë dhe rritja e buxhetit do të mundësonte që mbulimi në përgjithësi i terapisë, të jetë më i mirë”
, thotë Hoti.

Por, sipas infektologut Krasniqi, edhe pse këtë vit është ngritur numri i të infektuarve krahasuar me vitet paraprake, kjo situatë këtë institucion nuk e ka gjetur të papërgatitur për trajtimin e pacientëve. Mirëpo, shton ai, kjo klinikë vazhdon të përballet me një problem tjetër që paraqet diagnostikimi i virusit në gjak.
Problem paraqet diagnostikimi i virusit në gjak dhe sasia e tij në gjak që ende nuk bëhet në Kosovë...


”Problem paraqet diagnostikimi i virusit në gjak dhe sasia e tij në gjak që ende nuk bëhet në Kosovë dhe analizat dërgohen jashtë vendit. Vërejmë se ka numër më të madh të pacientëve që diagnostikohen, edhe pse nuk kemi statistika të sakta, sepse një numër i hepatiteve diagnostikohet edhe në vende tjera”
, shpjegon Krasniqi.

Megjithatë, zyrtarë shëndetësorë thonë se është e pamundur të përcillet trendi modern mjekësor për trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve, duke e marrë parasysh buxhetin shumë të mangët të Ministrisë së Shëndetësisë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG