Ndërlidhjet

Moskë: Protesta kundër dhunës etnike


Protesta në Moskë
Protesta në Moskë

“Moska për të gjithë” ishte motoja e tubimit të sotëm në kryeqytetin e Rusisë.

Protestuesit i dënuan sulmet kundër pakicave etnike dhe trazirat e ultra-nacionalistëve në Moskë.

Tubimi u zhvillua në sheshin Pushkin, ndërsa protestuesit brohorisnin parulla antifashiste.

Mumin Shakirov, korrespondent i shërbimit për Rusinë në Radion Evropa e Lirë, tha se mijëra moskovitë iu bashkëngjitën protestuesve. Në mesin e tyre kishte shkrimtarë, aktorë, shkencëtarë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut.

Pjesëmarrësit e tubimit “Moska për të gjithë” e dënuan qasjen ultra-nacionalist dhe racist në mesin e disa të rinjve rusë, si dhe mungesën e tolerancës ndaj pakicave etnike.

Fillimisht, ishte shkrimtari rus Viktor Shenderoviç, ai i cili në fillim të muajit u bëri thirrje njerëzve të organizojnë protestë masovike për të dënuar trazirat ultranacionaliste dhe sulmet raciste në kryeqytet.

Shenderoviç u bëri thirrje njerëzve që e dënojnë ultranacionalizmin dhe ksenofobinë, të dalin në rrugë dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Nëse numri i njerëzve të tubuar këtu ishte 10 herë më i madh, ndryshimet do të ndodhin qysh nesër, sepse, siç e dini, politikanët i ndjekin masat”,
tha Shenderoviç.

Shenderoviç lexoi një mesazh nga Jelena Boner, aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, e cila thotë se ka kombësi “moskovite, hebreje dhe kaukaze”.

Në 11 dhjetor, një tubim pa leje i tifozëve të futbollit, të cilët protestuan për vrasjen e një tifozi në rrugë një javë më parë, degjeneroi në trazira, ku mijëra demonstrues brohorisnin parulla raciste, si “Rusia për rusët”.

Ata u përleshën me policinë, duke hedhur gurë, shishe dhe copa akulli. Disa, madje, e sulmuan policinë me shufra metali.

Një shtetas i Kirgizisë vdiq pasi u ther me thikë, ndërsa disa persona të tjerë me origjinë nga Kaukazi u rrahën keq nga protestuesit ultra-nacionalistë.
XS
SM
MD
LG