Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti, ekonomia e Kosovës ka pasur vlera të shtuara, por ato nuk kanë pasur ndonjë reflektim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe në standardin e tyre, vlerësojnë njohës të çështjeve të ekonomisë dhe të sociologjisë.

Lumir Abdixhiku, ekspert për ekonomi nga Instituti Riinvest, thotë se parametrat e lartë të varfërisë dhe papunësisë në Kosovë, tregojnë se standardi i qytetarëve nuk ka ndryshuar, pavarësisht se në ekonomi janë shënuar disa tregues pozitivë.
Kemi pasur një rritje ekonomike rreth 4. 5 për qind - rritje kjo e cila nuk është ‘përkthyer’ në standardin e jetës së kosovarëve.

“Në përgjithësi, ne kemi pasur një rritje ekonomike rreth 4. 5 për qind - rritje kjo e cila nuk është ‘përkthyer’ në standardin e jetës së kosovarëve. Në qoftë se kemi rritje të çmimeve në vazhdimësi, ndërkaq pagat mbesin konstante si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat, kjo tregon se qytetarët tanë po bëhen më të varfër”.

“Në anën tjetër, kemi raportet e fundit, kryesisht ai i UNDP-së, i cili thekson se pakënaqësia me situatën ekonomike dhe me atë sociale, është në rritje e sipër. Këta janë tregues mjaft dekurajues për situatën tonë, pasi që mund të krijojnë kriza sociale në vazhdimësi”,
thotë Abdixhiku.

Edhe sociologu Fadil Maloku, drejtues i Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike, thotë se rritja e vogël ekonomike nuk ka reflektuar në ekonominë e qytetarëve.

“Shumë indikatorë, sidomos ata ekonomikë, na tregojnë se gjendja ekonomike në fakt është duke u keqësuar, në kuptimin që inflacioni është më i madh. Çmimet janë duke u fryrë”.

“Mund të them se studimet e fundit që ka bërë Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike çojnë në atë drejtim që shtresa apo grupimi i qytetarëve, që janë në margjina të zhvillimit dhe emancipimit të gjithëmbarshëm, të jenë në rritje e sipër. Diku rreth 22 apo 23 për qind është shtresa më e kërcënuar dhe kjo është një indikator shumë i rëndësishëm për të treguar se varfëria në Kosovë edhe më tej është duke u rritur”
, shprehet Maloku.

Ekspertët thonë se indikacionet sinjalizojnë se gjendja sociale e qytetarëve nuk pritet të përmirësohet së shpejti, ashtu sikurse edhe gjendja ekonomike e përgjithshme, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e qytetarëve.

Abdixhiku e vlerëson situatën si alarmante...

“Raporti i Progresit i vitit 2010 nuk ka dhënë sinjale pozitive ose optimiste për zhvillimet ekonomike në Kosovë. Prandaj, paaftësia jonë për t’i tërhequr investimet e huaja, paaftësia jonë për të krijuar një klimë të favorshme për bizneset dhe një sërë e politikave të gabuara makroekonomike, kanë bërë që situata ekonomike të jetë mjaft pesimiste për të ardhmen”.

“Megjithatë, unë dua të besoj se politikat qeveritare do të marrin një kah tjetër dhe do të shënjestrojnë kryesisht shtresat më të varfra. Kjo është situatë alarmante”,
thekson Abdixhiku.

Sociologu Maloku vlerëson se ka mjaft indikatorë që tregojnë se nuk duhet përjashtuar mundësinë e shpërthimit të pakënaqësive sociale.
Pakënaqësia sociale mund të sjellë probleme politike në sigurinë e gjithëmbarshme të vendit.

“Qytetarët, duke qenë të kërcënuar nga inflacioni dhe prej kësaj joperspektive - unë mendoj se pakënaqësia sociale mund të sjellë edhe probleme politike në sigurinë e gjithëmbarshme të vendit. Në një studim që kemi bërë, mbi 90 për qind të qytetarëve të rinj, kontingjenti prej 20 deri 25 vjet, pothuajse fare, asnjëherë nuk kanë qenë jashtë vendit”.

“Ky frustrim, kur t’i shtohet edhe pakënaqësia sociale, kujtoj se mund t’i lëkundë themelet e zhvillimit dhe progresit në përgjithësi në Kosovë”,
konkludon Maloku.

Lexoni edhe këto:
Njësoj të varfër...
Varfëria dhe papunësia - sfida për Kosovën

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG