Ndërlidhjet

logo-print

Khodorkovski, fajtor për herë të dytë

  • RFE /RL

Mikail Khodorkovski

Mikail Khodorkovski

Mikail Khodorkovski dhe partneri i tij në biznes, Platon Lebedev, janë gjetur fajtorë për vjedhjen e miliarda dollarëve nga kompania e tyre që merrej me industrinë e naftës dhe gazit.

Kjo është hera e dytë që gjykata moskovite e nxjerr fajtor Khodorkovskin. Ende nuk dihet dënimi, pasi ai bëhet publik vetëm pas leximit të plotë të vendimit - çfarë mund të marrë disa ditë.

Ndonëse verdikti nuk është shqiptuar ende, shumë besojnë se njeriu, i cili për shumë kohë ishte më i pasuri i Rusisë, do të jetë në burg edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, të parapara për në vitin 2012.

Jashtë sallës së gjyqit, mbështetësit e Khodorkovskit thërrisnin “Liri” dhe “Turp”. Sipas tyre, akuzat ndaj Mikhail Khodorkovskit janë të motivuara politikisht.

Përpara gjykatës ishin mbledhur rreth 1500 persona, 20 nga të cilët janë arrestuar. Gazetari i Radios Evropa e Lirë, që gjendej në sallën e gjyqit, thotë se Khodorkovski dhe Lebedevi ishin në një lloj kafazi të qelqtë në kohën e leximit të akuzave.

Nga ana tjetër, Borisi, i ati i Khodorkovskit, i cili është në moshë të thyer, ndiqte i dëshpëruar leximin e verdiktit.

Aktualisht, Khodorkovski gjendet në burg duke vuajtur dënimin prej tetë vjetësh nën akuzat për evazion fiskal dhe manipulime financiare.

Nga viti 2003, kur u arrestua për herë të parë, ai është akuzuar se ka vjedhur 25 miliardë dollarë nga kompania e tij Yukos. Këto akuza, së bashku me ato për pastrim parash, u bënë të ditura në vitin 2007.

Shumë besojnë se Khodorkovski do të mbetet në burg deri në 2017-ën.

Zëdhënësi i ekipit mbrojtës të Khodorkovskit thotë se akuzat janë absurde dhe bien ndesh me përfundimin e gjykimit të parë.

“Gjëja kryesore që mungon tek akuzat, është një vepër penale e tashme. Edhe pas 20 muajsh gjykim, askush nuk arrin ta kuptojë se për çfarë veprash akuzohet Khodorkovski”
, thotë Maksim Dbar.

Mbështetëse e Khodorkovskit. Moskë, 27 dhjetor 2010.
Mbështetësit e Khodorkovskit thonë se një deklaratë e fundit e kryeministrit Vladimir Putin është dëshmi se sistemi rus i drejtësisë kontrollohet nga sipër.

Gjatë një programi televiziv, Putini tha se krimet e Khodorkovskit janë provuar në gjykatë. Avokatët e ish-shefit të Yukos-it e akuzojnë Putinin se po ndërhyn në procedurat e gjykatës.

Presidenti aktual i Rusisë, i cili shpesh ka premtuar të pastrojë sistemin e drejtësisë, është përpjekur t’i hedhë poshtë akuzat se fati i gjykimit të Khodorkovskit është përcaktuar në Kremlin.

“As presidenti, as ndonjë zyrtar shtetëror nuk ka të drejtë të shprehë pozicionin e vet mbi këtë çështje apo çështje të tjera, përpara se të shqiptohet verdikti”
, ka thënë Dimitri Medvedev.

Një nga këshilltarët kryesorë të Medvedevit tha se Khodorkovski duhet të lirohet. Por, askush nuk e beson një gjë të tillë, pasi krimi i vërtetë i Khodorkovskit është kërcënimi politik që ai paraqet për Putinin.

Khodorkovski ka financuar parti opozitare dhe ka përdorur ndikimin e tij për të lobuar kundër Putinit.

Edhe nëna 77-vjeçare e Khodorkovskit thotë se autoritetet i tremben të birit.

“Ajo që po ndodh në Rusi, është e tmerrshme për njerëzit brenda vendit dhe ndoshta nuk është e këndshme as për vendet evropiane, pasi pranë tyre është një shtet autoritar dhe kriminal”,
thotë Marina Khodorkovkaja, nëna e njeriut që dikur ishte më i pasuri i Rusisë, por aktualisht vuan dënimin në Siberi. (i.b.)
XS
SM
MD
LG