Ndërlidhjet

Maqedoni: (S')ka presion mbi gjyqësorin


Gjykata në Shkup

Gjykata në Shkup

Numri gjithnjë e më i madh i ligjeve, të cilat abrogohen nga Gjykata Kushtetuese, flet për qasjen joserioze të institucionit ligjdhënës gjatë miratimit të tyre, thotë Bajram Pollozhani, ish-gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.

“Parlamenti, duke vepruar me një mazhorancë aq të theksuar, humb busullën, orientimin që të mos respektojë shërbimet profesionale, të cilat përkujdesen për kushtetutshmërinë në fazën e përgatitjes ose miratimit të tyre“
, thotë Pollozhani.

Sipas deputetit të Lidhjes Soacial-Demokrate (LSDM), Andrej Petrov, jo rrallëherë merren vendime politike, të cilat janë vështirë të inkorporohen në harmonizim me legjislaturën evropiane. Pikërisht për këtë shkak, Gjykata Kushtetuese, sipas tij, aq sa mundet tenton të luajë rolin e korrektorit.

“Është e palejueshme të ushtrohet presion ndaj gjyqësorit. Një situatë e tillë është apostrofuar edhe në raportin e Komisionit Evropian - pikërisht miratimi i një varg ligjeve pa debat publik, si dhe miratimi i ligjeve që i shkojnë përshtati pushtetit“,
thekson Petrov.

Me këtë nuk pajtohet VMRO-DPMNE në pushtet, sipas së cilës, një pjesë e gjykatësve në këtë institucion janë të ndikuar nga partia maqedonase në opozitë - LSDM.

“Pjesa më e rëndësishme e ligjeve, sipas meje, u abroguan si rezultat i faktit që Gjykata Kushtetuese nuk i mori deri në fund parasysh argumentet që ofruan propozuesit, gjegjësisht përgatitësit e ligjeve”, thotë Aleksandar Spasenovski, nga VMRO-DPMNE.

Nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Haliti, shpreh shqetësimin e abrogimit të ligjeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese pa parimin e shumicës së dyfishtë - i njohur si Parim i Badinterit, veçanërisht në rastet kur preken interesat e qytetarëve shqiptarë - siç ishte rasti me abrogimin e Ligjit për përdorimin e simboleve dhe së fundmi pjesë të Ligjit për lustrim.

“Këtë e kërkojmë, sepse ne, si subjekt politik, gjithmonë kemi pasur vërejtje ndaj Gjykatës Kushtetuese, meqë në këtë institucion disa vendime merren nën ndikimin e politikës“
, shprehet Haliti.

Në këtë drejtim, Bajram Pollozhani thotë se partitë politike shqiptare duhet kushtëzuar ndryshimet kushtetuese me aplikimin e Bandinterit edhe në këtë institucion.

“Partitë politike shqiptare, qofshin ato në pushtet ose opozitë, duhet t`ia bëjnë të qartë palës maqedonase se do të mund t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese vetëm nëse inkorporojnë normën juridike - të mbrohen ligjet, të cilat miratohen në Parlament me shumicën e dyfishtë sipas Parimit të Badinterit”.

“Edhe Gjykata Kushtetuese, abrogimin e tyre ta bëjë po sipas Parimit të Badinterit, që të mos ndodhin raste siç ishte Ligji për përdorimin e flamurit shqiptar dhe ai për lustrim - që është në dëm të shqiptarëve”,
thotë Pollozhani.

Gjatë këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka abroguar pjesë të Ligjit për lustrim, ndryshimet në planin detaj urbanistik për sheshin e Shkupit, që përfshin pjesë të projektit “Shkupi 2014”, vendimin e Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase që nga klasa e parë nga ana e nxënësve të bashkësive etnike në Maqedoni, si dhe një varg ligjesh tjera.
XS
SM
MD
LG