Ndërlidhjet

Iran: Gjermanët e arrestuar në tetor takojnë familjet


Dy gazetarë gjermanë të arrestuar në Iran që nga tetori do të takohen me familjet e tyre, kanë thënë zyrtarët iranianë dhe gjermanë.

“Familjet janë nisur nga Teherani për në Tabriz”, ka thënë për mediat në gjuhën arabe, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme iraniane Ramin Mehmanparast.

Kjo përputhet me informacionet nga Gjermania, ku Ministria e Jashtme i tha AFP-së se “të afërmit janë rrugës” për në Tabriz, një qytet rreth 530 km në veri-perëndim të Teheranit.

Agjencia e lajmeve IRNA raportoi se Ministria e Jashtme “ka bërë të mundur që dy shtetasit gjermanë të arrestuar në Iran, të takojnë familjet e tyre”, pasi që ministri i jashtëm gjerman i bëri thirrje për një gjë të tillë homologut iranian.

E përjavshmja gjermane Bild am Sonntag tha se dy punonjësit e saj, të cilët nuk i ka identifikuar, kanë udhëtuar në Iran për të hetuar rastin e Sakineh Mohammadi-Ashtianit, gruas e cila u dënua me vdekje, përkatësisht gjuajtjes me gurë deri në vdekje, për shkak të tradhtisë.

Ata u arrestuan më 10 tetor.

Irani tha se dy të arrestuarit kishin hyrë në vend me viza turistike dhe nuk kishin mundur të merrnin akreditimin e nevojshëm për gazetarë nga autoritetet, para se të paraqiteshin si reporterë dhe të kontaktonin familjen e Ashtianit.
XS
SM
MD
LG