Ndërlidhjet

Dënohet aleati i Millosheviqit për krime financiare


Një gjykatë serbe ka dënuar një aleat të Sllobodan Millosheviqit me tetë vjet burg për shkak të keqpërdorimit të më shumë se 65 milionë eurove.

Gjykata serbe për krimin e organizuar dënoi Mihajl Kerteshin, ish shefin e doganave në regjimin e Milosheviqit, se ka keqpërdorur fondet në valutat e huaja dhe në dinarët serbë mes viteve 1994 dhe 2000.

Kertesh “kishte vepruar nën urdhrat e Sllobodan Millosheviqit” dhe i derdhi të ardhurat e doganave te kompanitë ose indidvidët e afërt me regjimin, citohet të ketë thënë gjykatësja Nada Zec.

Kertesh ka derdhur të paktën 14 milionë euro në xhirollogaritë në Qipro dhe po ashtu ka financuar Partinë Socialiste të Serbisë dhe shërbimin informativ serb, thuhet në vendimin e gjykatës.

Kertesh aktualisht po vuan dënimin prej 15 muajsh për përfshirje në vrasjen e katër rivalëve politikë të Millosheviqit.
XS
SM
MD
LG