Ndërlidhjet

Rusia kritikon Perëndimin për presion në rastin Khodorkovski


Ministria e Jashtme ruse e ka përshkruar si “të papranueshme” atë që e quajti përpjekje për të ndikuar në gjykimin e Mikhail Khodorkovskit, pas kritikave të perëndimit mbi dënimin e ish pronarit të Yukos-it për keqpërdorim dhe shpëlarje parash.

Në një deklaratë, ministria po ashtu i refuzoi si “të pabaza” sugjerimet se procesi gjyqësor ishte një shembulll i drejtësisë selektive.

Tashmë i burgosur që nga viti 2003 për mashtrime dhe evasion fiskal, Khodorkovski dhe bashkëpunëtori i tij Platon Lebedev janë shpallur fajtorë të hënën se kanë vjedhur naftë nga kompania e tyre, ish gjiganti i naftës Yukos, dhe kanë shpëlarë fonde prej miliarda dollarë.

Në reagimin ndaj verdiktit, Shtëpia e Bardhë tha se “aplikimi selektiv i ligjit” minon reputacionin e Rusisë si një shtet që është i përkushtuar për thellimin e sundimit të ligjit.

Ministri i jashtëm gjerman tha se mënyra se si është zhvilluar procesi gjyqësor shënon një “hap prapa” për rrugën e Rusisë kah modernizimi.

Raportohet se gjykatësit Viktor Danilkin do t’i duhen ditë për ta lexuar verdiktin e plotë 250 faqesh dhe të shpallë dënimin.

Prokurorët po kërkojnë edhe 6 vjet të tjera burg- që do t’i mbante të pandehurit në burg deri në vitin 2017.
XS
SM
MD
LG