Ndërlidhjet

WP: “Demokracia në Hungari, e rrezikuar”


Viktor Orban
Viktor Orban
"Washington Post"

Hungaria është vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian - një vend me parti politike funksionale dhe 20 vite histori të zgjedhjeve të lira.

Tranzicioni i Hungarisë nga komunizmi drejt demokracisë ka qenë një histori suksesi. Megjithatë, Hungaria, gjatë muajve të fundit, ka ofruar një tjetër shembull për Evropën.

Budapesti ka dëshmuar se sa e brishtë mund të jetë demokracia edhe në një vend që funksionon. Nëse Bjellorusia është në hall me një udhëheqës që nuk qëndron dot në pushtet pa përdorur dhunë, Hungaria është në telashe nga një drejtues që është shumë popullor, apo ka një shumicë më shumë se të konsiderueshme.

Përmes kësaj shumice, ai mund t’i ndryshojë ligjet dhe Kushtetutën për ta mbajtur veten në pushtet, pa pasur nevojë të përdorë dhunën.

Kur autorët e Kushtetutës amerikane ishin të shqetësuar rreth asaj që quhet “tirania e shumicës”, ata ndoshta kishin parasysh një rast si të Viktor Orbanit, kryeministrit aktual hungarez.

Orban nuk është i dështuar. Ai është një politikan inteligjent dhe i realizuar, një ish aktivist anti-komunist, që ka qenë në pushtet më herët e që është rikthyer sërish duke kontrolluar dy të tretat e Parlamentit.

Fitorja e tij e thellë nuk ishte pa arsye. Gjatë tetë vjetëve të fundit, Hungaria është drejtuar nga një prej qeverive më të paafta në Evropë. Socialistët hungarezë thelluan borxhin, nuk bënë reforma dhe mbushën xhirollogari në bankat e huaja.

Por, fitorja nuk ishte e mjaftueshme për Viktor Orbanin. Gjatë viteve që ka qenë larg pushtetit, ai ka hartuar planin e hakmarrjes kundër gazetarëve që nuk e mbështetën, kundër atyre që nuk votuan për të dhe mbi të gjitha kundër kundërshtarëve të tij të paaftë dhe të korruptuar.

Që nga ardhja në krye të qeverisë, ai ka emëruar një këshill për të rishkruar Kushtetutën, nuk ka dhënë fonde për Zyrën e Auditimit dhe ka hequr disa nga përgjegjësitë e Gjykatës Kushtetuese.

Së fundi, Parlamenti ka miratuar Ligjin për qeverisjen e mediave. Është shumë e vështirë të thuhet se si do të funksionojë ky ligj, duke pasur parasysh se është shkruar në mënyrë tejet të përgjithshme.

Këshilli i ri shtetëror që do t’i mbikëqyrë mediat, ka të drejtë të vendosë gjoba deri në 1 milion dollarë për gazetarët që cilësohen jo të balancuar. Ligji nuk sqaron se çarë kupton saktësisht me këtë shprehje.

Këshilli do të marrë në mbrojtje edhe dinjitetin njerëzor, që gjithashtu nuk sqarohet se ç’do të thotë në terma ligjorë.

Ligji përpiqet t’i kontrollojë jo vetëm mediat në Hungari, por dhe mediat që janë në dispozicion të hungarezëve përmes internetit.

Orban duket i patrazuar nga kritikat në të shkuarën, ndoshta ngaqë është kritikuar shumë në të shkuarën.

Një punonjës në radion kombëtare të Hungarisë u largua nga puna, pasi kundërshtoi Ligjin e ri për mediat. Sipas tij, atmosfera në mbledhjet e fundit të redaksisë ishte si në vitet ’50 të kohës së stalinizmit, me përjashtimin se ishin qesharake, jo të frikshme dhe askush nuk është torturuar më pas. (i.b.)
XS
SM
MD
LG