Ndërlidhjet

Rinumërim i ngadalshëm


Qendra e numërimit në Prishtinë.

Qendra e numërimit në Prishtinë.

Nga 760 vendvotimet e obligueshme të rinumërohen, janë rinumëruar mbi 380 prej tyre. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se festat e fundvitit mund të shtyjnë përfundimin e rinumërimit të votave të mbetura, për fillimin e vitit të ardhshëm.

Xhemajl Peqani, kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së, pranon se procesi po zhvillohet me ritëm të ngadalshëm, por, siç thotë ai, i bazuar në normat ligjore.

“Procesi i rinumërimit të votave do të vazhdojë sipas dinamikës dhe planit të paraparë operacional. Të shohim deri më datën 31 se ne cilën fazë jemi, pastaj konstatojmë nëse do të përfundojë tani apo do të vazhdojë edhe në vitin tjetër - në dy, tri ditët e para të muajit janar. Deri më tani janë rinumëruar mbi 380 kuti përafërsisht”, thotë Peqani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i marrë rekomandimet nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve pasi të ketë përfunduar procesi i rinumërimit të të gjitha votave në 760 vendvotimeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Nga ky institucion zgjedhor është thënë se, varësisht nga raporti i QNR-së, mund të ketë edhe anulime të vendvotimeve ose votave, nëse evidentohen parregullsi të mëdha.

Zoti Peqani nuk komenton mundësinë e anulimit të vendvotimeve, derisa QNR-ja, sipas tij, të dalë me rezultatet e rinumërimit.

“Ne jemi në fazën e procesit të rinumërimit. Nuk mund të them asgjë, do ta presim raportin e QNR-së, e pastaj KQZ-ja do të vendosë”, thekson ai.

Ndërkaq, Blerim Burjani, anëtar i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i bën thirrje QNR-së për angazhim maksimal, në mënyrë që të evidentohen parregullsitë e mundshme.

“Konsiderojmë se më së shumti duhet t’u kushtohet vëmendje saktësisë dhe vërtetësisë së procesit, pa marrë parasysh sa merr kohë... Unë konsideroj se për një periudhë të shkurtër kohore do të mund të rregullohet – së paku të bëhen përmirësime në 40% të vendvotimeve”, thotë Burjani.

Ai shpreh bindjen se rinumërimi do t’i sqarojë dilemat e partive politike rreth procesit zgjedhor të 12 dhjetorit.

“Do të përmirësohet ajo parregullsi që është bërë gjatë votimeve në Kosovë dhe do të nxjerrim një rezultat, i cili do të jetë i saktë për partinë dhe kandidatin, së paku në masën e duhur për partinë dhe kandidatin", thotë Burjani.

Rinumërimi i 760 vendvotimeve ka ardhur si pasojë e mospërputhjes në mes të formularëve dhe votave në kutitë e votimit. Ky proces po mbikëqyret nga vëzhguesit e partive politike dhe ata ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG