Ndërlidhjet

Vendimet e rëndësishme kushtetuese


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka paraqitur të arriturat dhe vlerësimet e punës së këtij institucioni për vitin 2010. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se brenda një viti, efektshmëria e punës së instancës më të lartë juridike të shtetit në zgjidhjen e rasteve, është llogaritur të jetë mbi 90 për qind. Hasani foli edhe për raste të caktuara, për të cilat ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese në vitin që po lëmë pas - përfshirë vendimin për kushtetutshmërinë e mbajtjes së dy posteve nga ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbajtjen e dy posteve nga ana e ish-presidentit të Kosovës, Famir Sejdiu, vlerësohet të jetë një nga vendimet më të rëndësishme që kjo gjykatë ka marrë gjatë vitit 2010.

Vendimi i Gjykatës, me të cilin në shtator të këtij viti konstatohej se Sejdiu “ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës” me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtyu Sejdiun të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Pasoi shkëputja e LDK-së nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike, që çoi te mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi, duke krijuar nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat pritet të përfundojnë në 2011-ën.

Mirëpo, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Gjykata nuk mban përgjegjësi për pasojat politike që shkaktojnë vendimet e saj.
Puna jonë është të kujdesemi që zbatimi dhe interpretimi i Kushtetutës të jenë sa më konform atyre standardeve dhe atyre demokracive perëndimore, të cilat i synon Kosova.

“Çdo interpretim i yni mund të ketë pasoja serioze politike. Puna jonë nuk është që të kujdesemi për to, por puna jonë është të kujdesemi që zbatimi dhe interpretimi i Kushtetutës të jenë sa më konform atyre standardeve dhe atyre demokracive perëndimore, të cilat i synon Kosova”, u shpreh Hasani.

Në një konferencë për media, ku u paraqitën të arriturat dhe vlerësimet mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vitin 2010, Hasani bëri të ditur se gjatë vitit Gjykata Kushtetuese është marrë me 203 kërkesa, prej të cilave ka arritur t’i zgjidhë 119, ndërsa 84 kërkesat tjera kanë mbetur pa u zgjidhur.

Ai tha se llojet e shkeljeve të supozuara kanë pasur të bëjnë me të drejtën për pension, me të drejtën në pronë, me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të gjykatave, me lëmin e marrëdhënieve të punës dhe lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të institucioneve shtetërore.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese foli dhe për shkelësit e supozuar:

“Kush janë shkelësit e supozuar? Gjykatat me vendimet e tyre - 90 raste ose 69.77 për qind; institucionet shtetërore - 19 raste ose 14.73 për qind; institucionet e tjera - 18 raste ose 13.95 për qind; raste të tjera janë 2 ose 1.55 për qind”.

Hasani tha se vlerësimi, sipas të cilit, gjykatat prijnë në listën e shkelësve të ligjshmërisë dhe të kushtetutshmërisë, shpjegohet me faktin se Kosova hyn në radhën e vendeve në tranzicion, ku sistemi i drejtësisë është i paqëndrueshëm.

Mirëpo, eksperti ligjor, Ismet Salihu, tha se nuk i takon Gjykatës Kushtetuese t’i vlerësojë vendimet e gjykatave të niveleve më të ulëta.

“Gjykata më e lartë, e cila duhet t’i shqyrtojë vendimet e gjykatave të instancave më të ulëta, është Gjykata e Apelit, në këtë rast Gjykata e Qarkut ose gjykata e shkallës së tretë - Gjykata Supreme. Këto janë gjykatat, të cilat duhet të vlerësojnë se a kanë qenë të ligjshme e të drejta gjykatat e instancave më të ulëta”, theksoi ai.

Nga 84 kërkesat që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, 11 thuhet se janë në fazën e shqyrtimit në kolegje, 12 kërkesa në fazën e përpilimit të raporteve paraprake, 46 thuhet se janë në fazën e pritjes së përgjigjes nga pala kundërshtare, ndërsa 15 kërkesa thuhet se janë në fazën fillestare të procedurës.
XS
SM
MD
LG