Ndërlidhjet

Aventura ruse në SHBA


Ilf dhe Petrov, 1930.
Ilf dhe Petrov, 1930.
Janë bërë 75 vjet që kur Ilia Ilf dhe Evgeni Petrov, dy gazetarë sovjetikë që kishin shpirt aventuristësh, bënë një udhëtim dymujor me veturë dhe përshkuan 16 mijë kilometra në Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni dhe Moska sapo kanë vendosur raportet diplomatike. SHBA-të janë pllakosur nga Depresioni i Madh. Terrori stalinist është në rrugë e sipër në Bashkimin Sovjetik. Për pak vjet shpërthen Lufta e Dytë Botërore.

Kështu ishte gjendja e botës, kur gazetarët sovjetikë Ilia Ilf dhe Evgeni Petrov, në nëntor të 1935-ës vendosën të zbulojnë Amerikën si korrespondentë për zëdhënësen komuniste “Pravda”.

Libri “Amerika njëkatëshe” u publikua më 1937 dhe për dekada të tëra mbeti i vetmi ekspoze i Amerikës bashkëkohore, në të cilin kishin qasje lexuesit sovjetikë.

Ilf dhe Petrov tashmë admiroheshin në vendin e tyre për bashkëpunimet e mëhershme si “12 karriget” dhe “Këlyshi i vogël i artë“.

Sina Naxhafi, kryeredaktor i revistës me seli në Bruklin, “Cabinet”, që ka publikuar disa kapituj të udhëpërshkrimit të Ilfit dhe Petrovit në vitin 2004, tha se ai dhe botuesit tjerë ishin intriguar nga vëzhgimet humoristike të sovjetikëve për jetën amerikane.

“Libri tregon një lloj intimiteti mes dy shteteve, në një mënyrë që ne nuk mund ta imagjinojmë, sepse ata kanë qenë këtu, ata ishin kritikë, pastaj admirues të një shoqërie që ishte një lloj pasqyre e shoqërisë së tyre”,
shpjegoi Naxhafi.

Edhe pse dy shkrimtarët bëjnë me dije që nga fillimi i punës së tyre se Nju Jorku nuk është Amerika, qëndrimi i tyre trejavësh në qytetin më të madh amerikan është edhe qëndrimi më i gjatë në një qytet të vetëm gjatë udhëtimit të tyre në SHBA.

Ilf dhe Petrov në Nju Jork, 1935.
Pas arritjes në Menheten, Ilf dhe Petrov vendosen në një hotel afër Ualdrof-Astoria-s së famshme të Park Avenysë.

Përshkrimi i jetës së banorëve të kësaj rruge është ndër kapitujt më të mirë të librit. Ata përshkruajnë detaje, të cilat për njujorkezët mund të jenë banale, por të mahnitshme për sovjetikët.

Ata vënë në pah, për shembull, se si këmbësorët merrnin një kopje të “New York Times” ose të “The New York Herald Triubune“ në trotuar dhe i hidhnin dy peni në kanaçe, ndërsa shitësi i gazetave vazhdonte të hante drekën.

Ata përshkruan veturat e taksive - me shumëllojshmëri ngjyrash - të kuq, të bardhë dhe të portokalltë, ndryshe nga sot, që ka vetëm taksi të verdhë.

Times Square përshkruhet si spërkatje e dritave dhe e ngjyrave ku dy gazetarët ia dolën të gjenin një film sovjetik, që po jepej në kinema.

“Ata ishin inteligjentë, ndërsa kishin sensin e vërejtjes së detajeve. Kjo shihej në shkrimet, komentet e tyre dhe në gjërat e vogla, që ata i kanë vërejtur e që është vështirë të vërehen pa jetuar këtu me vite të tëra - e edhe atëherë është vështirë të vërehen“, u shpreh Naxhafi.

Aleksandra Ilf, fëmija i Ilia Ilfit, ishte disamuajshe kur babai i saj mori rrugën për në SHBA. Në atë kohë, kishte shumë pak artikuj për fëmijë në Moskë, kështu që nëna e saj e luti Ilfin t’i sjellë artikuj për foshnjën, të cilat zgjatën për dy vjet.

“Ilf kishte sjellë vetëm pak gjëra, sepse kishin shumë pak kohë për të bërë pazar. Përveç kësaj, ata po planifikonin të ndaleshin në Paris, ku gruaja e vëllait të tij kishte blerë krejt çka duheshin“, tha Aleksandra.

Më vonë, kur Aleksandra të bëhej gardiane e trashëgimisë letrare të Ilfit dhe Petrovit, do të mbante një vizitë-kartë në të cilën shkruante: vjaza e Ilfit dhe Petrovit.

Establishmenti i shkrimtarëve sovjetikë të asaj kohe kishte zili të madhe ndaj Ilfit dhe Petrovit, për shkak se puna e tyre ishte përkthyer në masë të madhe dhe botuar në Perëndim, ndërsa ata kishin mundësi të udhëtonin përtej oqeanit.

Erika Uolf, një historiane e artit sovjetik dhe redaktore e librit “Udhëtimi amerikan i Ilfit dhe Petrovit“, tha se dy gazetarët ishin paguar shumë mirë nga botimet e huaja - gjë që u kishte mundësuar financimin e udhëtimeve përtej oqeanit.

“Për mua është thjesht e mrekullueshme se si në vitin 1936-1937 kur po mbaheshin shumë nga gjyqet e Stalinit dhe terrori po merrte dhenë, këta shkrimtarë sovjetikë po shkruanin atë, që në masë të madhe ishte një reagim qesharak ndaj kulturës amerikane, por edhe admirim. Po ashtu, ata kanë kapur, mendoj, disa anë negative të SHBA-ve, racizmin, varfërinë, pabarazinë mes qyteteve dhe fshatrave“, tha Uolf.

Në fund të qëndrimit të tyre trejavësh në Nju Jork, Ilf dhe Petrov blenë një makinë Ford, ngjyrë hiri, për të vazhduar me të udhëtimin dymujor në 25 shtete të SHBA-ve, në përpjekje, siç shkruan ata, për të zbuluar Amerikën e “vërtetë“. (a.i.)
XS
SM
MD
LG