Ndërlidhjet

12 dhjetori i lënduar


Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Si president në detyrë, do të dëshiroja të kishim një proces më të mirë zgjedhor, pasi që ai më 12 dhjetor ishte proces i lënduar, tha ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në cilësinë e presidentit në detyrë, ai u bëri thirrje partive politike që pas 9 janarit t’i nisin bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme Ndërkohë, zyrtarë të LDK-së përsërisin se zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një rezultat të manipuluar.


Procesi zgjedhor i 12 dhjetorit ka qenë i lënduar, tha të mërkurën ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Këto komente Krasniqi i bëri gjatë një përmbledhjeje të punës së institucionit të presidentit për vitin 2010.

Krasniqi tha se zgjedhjet e fundit u përcollën me shumë vërejtje e pakënaqësi dhe, si të tilla, nuk i kanë kënaqur pritjet e qytetarëve dhe institucioneve.
Unë do të dëshiroja një rezultat tjetër zgjedhor.

“Unë do të dëshiroja një rezultat tjetër zgjedhor. Në mënyrë të veçantë, do të dëshiroja që këto zgjedhje të ishin pa vërejtje edhe nga pala vendore edhe nga ajo ndërkombëtare. Na vjen keq që ky proces zgjedhor ka qenë i lënduar, por dua të shpresoj dhe besoj se institucionet e pavarura zgjedhore, institucionet kushtetuese që kanë përgjegjësi për ta certifikuar rezultatin përfundimtar zgjedhor, t’i bëjnë korrigjimet e mundshme”,
tha Krasniqi.

Duke u ndërlidhur me procesin e formimit të qeverisë së ardhshme, Krasniqi tha se me gjasë i takon kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, që të gjejë formulën e ardhshme qeverisëse.

Megjithatë, para se të nisin bisedimet për qeverinë e ardhshme, fillimisht, ai tha se duhet pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

“Ne duhet të presim rezultatin zyrtar të këtyre zgjedhjeve dhe tek pasi që të merret ai rezultat, mund të flasim edhe për koalicione, edhe për formimin e kabinetit qeveritar”
, theksoi Krasniqi.

Se zgjedhjet e fundit nuk kanë prodhuar një rezultat të pranueshëm për të gjitha subjektet, tregon edhe pozicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj këtij procesi.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, tha se përderisa nuk kanë përfunduar rivotimet e pjesshme më 9 janar, nuk dihet se a është fituese e zgjedhjeve PDK-ja apo LDK-ja.
...jemi në një situatë shumë të komplikuar dhe nuk mund të flasim se cila është partia e parë apo e dytë.

“Teknikisht, momentalisht LDK-ja është partia e parë me anulimin e rezultatit të votimeve në Skenderaj, Drenas dhe Deçan. Momenti i dytë i rëndësishëm është ai i zgjedhjeve, rivotimeve ku është konstatuar se ka manipulime”.

“Po ashtu, moment tjetër me rëndësi është se çfarë përfundimi do të sjellë KQZ-ja lidhur me auditimin që po u bën 40 për qind të kutive të votimit që kanë qenë të parregullta. Prandaj, jemi në një situatë shumë të komplikuar dhe nuk mund të flasim se cila është partia e parë apo e dytë”,
tha Gashi.

Sidoqoftë, dilemat e partive politike, mbase edhe do të sqarohen pas 9 janarit, kur do të mbahen rivotimet e pjesshme. Por, në analiza të shumta vlerësohet se cilado parti që do të synojë të formojë qeverinë e ardhshme, nuk do ta ketë aspak të lehtë që ta bëjë këtë.

Situata është komplikuar për shkak të kontestimit të rezultatit nga ana e LDK-së, e cila i cilëson zgjedhjet të manipuluara, pastaj për shkak të abstenimit nga pjesëmarrja në qeveri nga Vetëvendosja dhe pamundësia e lidhjes së marrëveshjes nga ana e PDK-së me dy partitë tjera, AAK-në dhe AKR-në.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG