Ndërlidhjet

Lufta e re me Kinën


Nxjerrja e mineraleve në Kinë
Nxjerrja e mineraleve në Kinë
Makina hibride, telefona mobilë, televizorë me ekran të sheshtë, kabllo me fibra optike dhe modeli i fundit i turbinave të erës. A e dini çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto produkte?

Për shumë vende, prodhimi i produkteve të sipërpërmendura do të thotë një botë që kujdeset për mjedisin dhe teknologji e lartë. Ajo që është edhe më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se nuk mund të prodhosh një makinë hibride apo turbina ere pa materiale, të cilat klasifikohen si të rralla.

Këtë, më mirë se kushdo, e di Kina, e cila mbulon 95 për qind të nevojave të botës me mineralet e rralla.

Në mesin e këtyre mineraleve janë gadoliniumi apo tuliumi dhe ceriumi, për të cilat industria minerale e Kinës gërmon me intensitet të lartë.

Kjo e bën Kinën një lojtar të rëndësishëm. Megjithatë, vitin e kaluar eksportet kineze të mineraleve të rralla ranë me 40 për qind.

Në botë, ndërkohë, janë rritur shqetësimet lidhur me kontrollin e Kinës mbi mineralet e rralla. Së fundi, mediat perëndimore po raportojnë se Kina ka bllokuar anijet me dërgesa me këto minerale, të cilat ishin destinuar për në vendet e industrializuara.

Gazeta amerikane “New York Times” raporton se Kina ka ndaluar dërgesat me minerale të rralla në Japoni, Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Motivet e Pekinit për ekspertët janë të qarta: Kina do t’i ruajë këto burime për vete dhe kërkon të detyrojë kompanitë që të prodhojnë në Kinë produkte të teknologjisë së lartë.

“Ajo çfarë po ndodh, ka të bëjë me faktin se nëse vendet e ndryshme nuk arrijnë të furnizohen me materiale të rralla, atëherë do të detyrohen të transferojnë prodhimin e teknologjisë së lartë në Kinë. Në këtë mënyrë përfitimet për ekonominë kineze do të jenë shumë më të mëdha sesa nga eksporti i thjeshtë i mineraleve të ralla”,
sqaron për Radion Evropa e Lirë, Mark Uats, nga “Industrial Minerals”.

Gjermania ka qenë vendi që ka bërë ankesat më të zhurmshme ndaj masave të Kinës. Biznesi dhe udhëheqësit gjermanë do të mbajnë një konferencë me kreun e Organizatës Botërore të Tregtisë javën e ardhshme.

Qeveria amerikane po heton nëse masat kineze bien në kundërshtim me rregullat e OBT-së. Të njëjtën gjë duket se do të bëjë së shpejti dhe Komisioni Evropian.

Kina nga ana e saj tha se rezervat e mineraleve të rralla mund të shteren, nëse vazhdojnë të nxirren me këtë ritëm. Deklaratat e Pekinit janë shqetësuese për ekspertin Uat.

“Nëse niveli i eksporteve kineze mbetet i njëjti me atë të këtij viti, atëherë kërkesa do të jetë më e madhe në tregun botëror se oferta. Kjo do të çojë në mungesë të lëndëve të para për shumë industri”,
thotë Uat.

Qeveria japoneze ka alarmuar se burimet vetanake të mineraleve të rralla do të shterojnë në pranverën e ardhshme, nëse nuk do të ketë furnizim nga Kina.

Në këto kushte për Mark Uatsin zgjidhja më e mirë është gjetja e rrugëve për të mos u varur nga Kina.

“Qeveria dhe kompanitë japoneze, ndërmarrjet e mëdha tregtare duhet të hyjnë në partneritet me kompani minerale përtej oqeanit për të gjetur rrugë alternative, që të mos kërcënohen nga varshmëria kineze”,
thekson Uats.

Shkencëtari japonez, Joshiko Jamamoto, thotë se teknologjia mund të gjejë rrugë alternative.

“Teknologjia e riciklimit, përfshirë proceset e ndërmjetme, është ende e pazhvilluar sa duhet. Në mesin e teknologjive ricikluese, do të jetë dhe ajo për riciklimin e dheut ku gjenden mineralet e rralla”
, thotë Jamamoto.

Pavarësisht nevojës urgjente, projekti më i shpejtë që do të nisë në këtë fushë, planifikohet për fundin e vitit 2011 në Australi.(i.b.)
XS
SM
MD
LG