Ndërlidhjet

Ahmeti, Thaçi: Akuza të ndërsjella


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shqiptarët e Maqedonisë kanë shumë arsye për të festuar, ngase kanë arritur të realizojnë pjesën më të madhe të kërkesave të tyre, siç është jetësimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, fillimi i realizimit të projektit për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu”, si dhe shpërndarja e Universitetit Shtetëror të Tetovës në më shumë qytetet të vendit, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e aktivitetit për shënimin e fillimit të vitit të ri 2011, me anëtarët dhe funksionarët e partisë.

Ahmeti shpalosi ofertën e BDI-së për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë për të debllokuar integrimin e vendit, duke ofruar dokumentin Kornizë të Ohrit si model për tejkalimin e dallimeve mes palëve kontestuese, ngase, siç është shprehur, "kur bëhen bashkë SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja, atëherë edhe rezultatet vijnë shumë më shpejtë".

Ali Ahmeti, BDI

“Pse të mos instalohet një veprim i llojit të Marrëveshjes së Ohrit... Qendrat ndërkombëtare, SHBA-të, NATO dhe BE-ja, që kanë autoritet të jashtëzakonshëm, autoritet të padiskutueshëm në rajon, pse jo edhe BE-ja, sepse duke mbetur vetëm në selitë e OKB-së në Nju Jork, sigurisht se problemi do të mbetet brenda rajonit dhe zgjidhja do të vonohet”
, tha Ahmeti, duke nënvizuar se, megjithatë, ka besim në “aftësitë menaxhuese të ndërmjetësit Nimic”.

Ahmeti më pas theksoi se viti 2010 do të mbahet mend dhe për shpifjet e Dik Martit dhe Menduh Thaçit, për të njollosur çështjen shqiptare.

“Ky vit do të mbahet mend si vit që Dik Marti dhe Menduh Thaçi, në mungesë të alternativave, në mungesë të koncepteve dhe opsioneve për të ofruar për paqen dhe stabilitetin, për zgjidhjen e problemeve, me të cilat preokupohet rajoni, Evropa dhe më gjerë, ofrojnë raporte të sajuara dhe të shpifura po të atij burimi - burimit të zotit Menduh Thaçi, të Bozhidar Spasiqëve. Le të ketë ofertë për shqiptarët e Maqedonisë, mos të dalë me ofertë të Bozhidar Spasiqit, por le të dalë me ofertë autoktone të veten”
, tha Ahmeti.

Nga ana tjetër, sipas kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, gjëja më e keqe që ndodhi në këtë vit, ishte verifikimi i bllokimit të proceseve integruese drejt NATO-s dhe BE-së.

Çështjen e dosjeve, Menduh Thaçi e cilësoi si arritje të madhe, andaj, sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Qeveria do të marrë dënimin e merituar.
Menduh Thaçi, PDSH

“Ky vit, po ashtu, karakterizohet edhe me një të arritur të jashtëzakonshme, historike të shqiptarëve të Maqedonisë, zbulimi i dokumenteve sekrete që vërtetojnë katërcipërisht se drejtuesit e konfliktit të vitit 2001, dhe drejtuesit e tashëm të BDI-së kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete jugosllave”.

”Aliu e kërkoi të zezën në të bardhë, e mori të kaltrën në të bardhë... mendoj se tashmë gjithçka është e qartë dhe ata që dëshirojnë t’i mbrojnë këta bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, do t’i kenë pasojat e tyre”,
u shpreh Thaçi, kryetar i PDSH-së

I pyetur për veprimin e mëtutjeshëm të PDSH-së, njëshi i saj u shpreh i prerë se pesë deputetët e kësaj partie, nuk do të kthehen në Parlament, përderisa nuk vendoset një dialog i mirëfilltë politik.
XS
SM
MD
LG