Ndërlidhjet

logo-print

Viti 2010 nisi me zgjedhjet, më saktësisht me punët që kishin mbetur pa përfunduar pas zgjedhjeve për pushtetin vendor në nëntorin e vitit paraprak. Ishin disa komuna që prisnin të mbanin rivotim për shkak të parregullsive dhe procesi zgjedhor lokal mori fund nga mesi i muajit mars.

Paralelisht me procesin zgjedhor, i cili në masë të madhe ishte karakterizuar me zotimet për të luftuar korrupsionin, nisin edhe ndryshimet në përbërjen e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të konceptit riformatizim, i cili kishte filluar më 19 nëntor të vitit 2009.

Dhe pas disa ndryshimeve në nivelin ministror, të cilat nga opozita u cilësuan si kozmetike, Qeveria e Kosovës ndërroi gjashtë ministra dhe formoi Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Bastisjet në Ministrinë e Transportit...
Por, ngjarja më e rëndësishme në Kosovë, në katërmujorin e parë të vitit, padyshim do të vlerësohet bastisja që Policia e EULEX-it ka bërë në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe në shtëpinë e udhëheqësit të kësaj ministrie, Fatmir Limaj, më 28 prill.

Unë do të vazhdoj t’i kryej detyrat e mia të përditshme, ashtu siç kam bërë deri më sot, edhe nesër, edhe në të ardhmen”, pati thënë Limaj, aktualisht ministër në qeverinë në largim të Kosovës.

EULEX-i pati sqaruar shkurtimisht se bëhet fjalë për hetimet mbi disa tenderë për ndërtimin e rrugëve nga ministria e bastisur. Pas një stuhie reagimesh nga më të ndryshmet, për dhe kundër operacionit të misionit evropian, ishte prokurori i këtij misioni, Johanes Van Vresvijk, i cili sqaroi se ky ishte vetëm fillimi.

“Kjo është ajo që do ta quaja fillim i shtrëngimit të muskujve të prokurorisë”, pati thënë Vresvijk.

Por, ky deklarim që në kohën e bërjes u cilësua si i fuqishëm, do të pasohet pothuajse gjithë pjesën e mbetur të vitit me kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë civile për rezultate konkrete dhe sforcim të rendit dhe ligjit.

Megjithatë, nga fundi i vitit, Kosova do të përballet me raporte të organizatave ndërkombëtare që nuk flasin në të mirë të luftës anti-korrupsion.

Më 8 korrik, Kosovën e viziton ish-kryeministri Britanik, Toni Bler, i cili bëri thirrje për ndërtimin e një shteti të suksesshëm.

“Kjo është një sfidë dhe statusi nuk është vetëm çështje e legalitetit, por edhe e kushteve ekonomike të jetesës, që garanton për qytetarët që jetojnë në të”, pati thënë Bler.

Ai e vizitoi Kosovën në muajin kur të gjithë ishin në pritje të një mendimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

GJND më 22 korrik...
Ishin dhënë vlerësime nga më të ndryshmet se cili do të jetë epilogu i procesit në GJND, i iniciuar nga vetë Serbia, por mbizotëronte vlerësimi se ky institucion do të japë një mendim asnjanës.

Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada, duke lexuar vendimin që ishte marrë, vulosi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, pati thënë Ovada më 22 korrik.



Kjo ngjarje u vlerësua nga të gjithë faktorët relevantë në Kosovë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të shtetit më të ri në botë. Nëpër rrugët e Kosovës kishin shpërthyer festat.

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, këtë lajm e ka pritur në Hagë, meqë një ditë më parë, Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës kishte anuluar pjesërisht vendimin për pafajësi ndaj tij, Idriz Balajt dhe Lah Brahimajt.

Pas mendimit të GJND-së, Prishtina fillon të bëhet gati për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e paralelisht me të edhe Beogradi. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, seanca atje përfundon me thirrjen për nisjen e bisedimeve teknike midis të dyja palëve.

Ndërkohë që flitej për këtë apo atë formë bisedimesh, Kosova kishte përballë një krize të brendshme politike. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, kishte shkelur Kushtetutën, me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara, më 27 shtator, ai jep dorëheqje.

“Unë kam besuar se mbajtja e postit të kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion, siç e përcakton Kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj Kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe dhe unë e respektoj këtë vendim”, pati thënë Sejdiu.

Hillari Klinton në Kosovë...
Më 13 tetor, Kosovën e viziton Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Edhe gjatë kësaj vizite, zonja Klinton tha se vendimi i GJND-së është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara, duke inkurajuar fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, por jo edhe çështje të statusit.

“Disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk do të diskutohen”, tha Klinton, duke nënvizuar se dialogu ka të bëjë me arritjen e përparimit në çështje të interesit të përbashkët.

Por, gjasat për nisjen e këtij dialogu do të zbehen edhe më shumë, pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u tërhequr nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës më 16 tetor.

Një gjendje e brishtë në institucionet e Kosovës do të vazhdojë deri më 2 nëntor, kur me një mocion votëbesimi, të iniciuar nga vetë partia në pushtet, Kuvendi i Kosovës shkarkon qeverinë.

Me 66 vota për, një kundër dhe dy abstenime, Kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Vendimin e lexoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, njëherësh edhe ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës, i cili të njëjtën ditë shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet e parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 12 dhjetor, 2010”, kishte bërë të ditur Krasniqi.

Kjo i hap rrugë edhe Partisë Demokratike e Lidhjes Demokratike të mbajnë kuvendet e tyre zgjedhore. Hashim Thaçi rizgjidhet kryetar i PDK-së, kurse në LDK Fatmir Sejdiu humb betejën përballë Isa Mustafës.

12 dhjetor, mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në nivel qendror dhe pritjet nuk ishin të pakta.



Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Partia Demokratike del fituese, e pasuar nga Lidhja Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re.

Rezultatet kontestohen nga të gjitha partitë, përveç Partisë Demokratike, e cila hedh poshtë akuzat e rivalëve politikë për manipulim votash. Pas ankesave të deponuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rivotim në tri komuna dhe rivotim të pjesshëm në dy të tjera, më 9 janar të 2011-ës.

Ndërkohë që debati në këtë rrafsh fillon të nxehet, më datën 14 dhjetor, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, del në sipërfaqe raporti i raporuesit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Në të, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet të jetë përfshirë në “trafikim organesh, narkotikësh dhe armësh”. Përmasat serioze të kësaj akuze bënë që edhe përmasat e reagimeve të jenë të pakufishme, qoftë në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Hashim Thaçi
Vetë zoti Thaçi mohoi çdo akuzë të ngritur në këtë raport.

“Unë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por para së gjithash si qytetar dhe si prind, ndihem i fyer rëndë ndaj akuzave të pabaza të Dik Martit që ka bërë ndaj meje, ndaj bashkëluftëtarëve të mi, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, mbi të gjitha, ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tim
”, pati thënë Thaçi, duke paralajmëruar edhe mundësi ligjore për ndjekjen penale të, siç ka thënë, shpifjeve të zotit Marti.

Ky i fundit, ndërkaq, insiston në përmbajtjen e raportit të tij, duke thënë se ka imunitet diplomatik dhe nuk mund të përndiqet ligjërisht. Raporti do të diskutohet në Këshillin e Evropës më 25 janar.

Deri atëherë dhe gjatë gjithë vitit 2011, përballë Kosovës mbeten jo pak sfida. Përveç këtij raporti, sikurse edhe çdo vit tjetër, situata në veri mbetet e pandryshueshme, varfëria dhe papunësia janë fenomene të përditshme me të cilat përballen kosovarët; janë edhe bisedimet me Serbinë për, siç thuhet, çështje teknike, e për të cilat analistët tërheqin vërejtjen se nuk do të jenë edhe aq të lehta.

Viti 2010 për Kosovën do të mbahet në mend edhe si lënie në izolim në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, duke qenë se mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit duhet të kërkojnë leje për të lëvizur lirshëm.

Mbi të gjitha, Kosova në 2010-ën hyri me çështje të pazgjidhura nga zgjedhjet për pushtetin vendor, kurse në 2011-ën po hyn me çështje të pazgjidhura nga zgjedhjet për pushtetin qendror, me një qeveri në dorëheqje, pa parlament dhe me një ushtrues detyre të presidentit.
  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

XS
SM
MD
LG