Ndërlidhjet

logo-print
Shëndetësia kosovare këtë vit është ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet, thonë zyrtarë shëndetësorë. Për reformimin e sistemit shëndetësor për vitin 2011, sipas zyrtarëve institucionalë, do të duhej që së pari shëndetësia të jetë si prioritet i Qeverisë së Kosovës, derisa vite me radhë ky institucion nuk ka qenë në fokus të Qeverisë.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ndër sfidat me të cilat sivjet është ballafaquar sistemi shëndetësor, janë: zvogëlimi i buxhetit, ndërrimet e shpeshta, si dhe resurset e kufizuara menaxhuese dhe profesionale.

“Sa i përket buxhetit, ai ka pasur shkurtime që kanë reflektuar domosdo në furnizimin me barna të listës esenciale. Përgjithësisht, buxheti nuk ka garantuar një sistem të qëndrueshëm”,
thotë Faik Hoti.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Gjithashtu, kjo ministri për një kohë ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë pa kreun e këtij institucioni dhe, sipas zotit Hoti, kjo ka bërë që shumë vendime kapitale të mbesin pa nënshkrime, gjë që e ka dëmtuar shumë këtë institucion.

“Sivjet, në Ministrinë e Shëndetësisë ka pasur dy herë lëvizje të pozicioneve të ministrit, pra janë ndërruar dy ministra, e sidomos ky i dyti ka reflektuar keq - gjegjësisht largimi i tij, sepse ministria ka vazhduar dhe ende vazhdon të funksionojë pa ministër, e në mungesë të kreut të Qeverisë, nuk ka pasur kush të nënshkruajë vendime kapitale”,
shpjegon Hoti.

Ai shton se kjo ministri, gjithashtu, është ballafaquar edhe me resurse të mangëta menaxhuese dhe profesionale, si në ministri po ashtu edhe në institucione shëndetësore, gjë që reflektohet edhe si rezultat i të gjeturave që kanë bërë organizatat e ndryshme.

“Mendoj se vitin që po vjen, ministria do të ngrejë kapacitetet e saj menaxhuese dhe të institucioneve gjegjëse”,
thekson Hoti.

Edhe vetë qytetarët shprehin mendimet e tyre lidhur me sistemin shëndetësor në Kosovë. Sipas tyre, shëndetësia në përgjithësi këtë vit nuk ka qenë prioritet i Qeverisë dhe kjo ka bërë që sistemi shëndetësor të jetë në nivelin që është.

“Deri më tani shëndetësia nuk ka qenë e nivelit të lartë, mund të them që ka qenë katastrofë, por shpresoj që me formimin e qeverisë së ardhshme do të bëhet më mirë për sistemin shëndetësor në vend”,
shprehet kjo qytetare.

Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, konsideron se për t’u reformuar sistemi shëndetësor kosovar, do të duhej të përmirësohej qeverisja e sistemit shëndetësor, jo vetëm në kuadër të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të gjitha institucioneve shëndetësore.

Zoti Syla përmend edhe buxhetin e mangët që këtë vit ka pasur kjo ministri.

“Për reformimin e financimit shëndetësor, do të duhej të kishim një fuqizim të shtimit të buxhetit, sepse buxheti aktual nuk i mbulon as nevojat bazike të sistemit shëndetësor dhe është buxheti më i ulët edhe në krahasim me sektorët tjerë. Gjithashtu, edhe nëse e krahasojmë me vendet e rajonit, qoftë si përqindje, qoftë si shumë absolute dhe kemi pasur edhe ulje të buxhetit”,
thotë Syla.

Sipas zotit Syla, ngritja e vazhdueshme e kuadrit profesional shëndetësor, do të ndihmonte në reformimin e shëndetësisë kosovare, sepse, sipas tij, kuadri është aseti më i rëndësishëm i sistemit shëndetësor.

Një ndër sfidat përmenden edhe kushtet për punë që duhet ofruar punëtorëve shëndetësorë.

Por, Syla shton se punëtorëve shëndetësorë duhet ofruar kushtet optimale për punë, në mënyrë që të jenë të motivuar.

“Kjo kërkon një përkushtim të të gjithë faktorëve, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe donatorëve të shumtë që përkrahin zhvillimet e Kosovës, sepse ne jemi dëshmitarë që të gjithë sektorët kanë marrë më shumë fonde krahasuar me shëndetësinë”,
thekson Syla.




Në Qendrën Klinike Universitare, emergjenca ishte institucioni që më së shumti është ballafaquar me frekuencë pacientësh. Drejtori i kësaj qendre, Basri Lenjani, thotë se në vitin 2010 në emergjencë janë trajtuar mbi 45 mijë raste emergjente.

Një ndër sfidat që zoti Lenjani përmend është edhe mungesa e kapaciteteve hapësinore.

“Ky vit ka qenë një vit shumë i rëndë, për shkak të numrit të madh të pacientëve, numrit të madh të ofrimit të shërbimeve operative. Janë bërë mbi 2 mijë operacione të natyrës emergjente, kanë qenë mbi 3800 aksidente komunikacioni, 6 mijë të vdekur dhe një numër i tyre kanë mbetur invalidë, si pasojë e aksidenteve madhore. Problem kyç në Qendrën Emergjente është numri i madh, pra, rritja enorme e aksidenteve rrugore”, potencon Lenjani.

Nga rreth 90 milionë euro, sa kishte në dispozicion për këtë vit Ministria e Shëndetësisë, 4 milionë euro i janë shkurtuar në gjysmën e vitit, që do të thotë se i kanë pasur dy milionë euro më pak në fushën e listës esenciale për barna, ndërkaq dy milionë euro të tjera janë shkurtuar në fusha të ndryshme të shëndetësisë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG