Ndërlidhjet

Institucionet e reja, prioritet i 2011-ës


Kuvendi i Kosovës (Foto arkivi)

Kuvendi i Kosovës (Foto arkivi)


Përmbyllja e procesit zgjedhor me formimin e institucioneve të reja apo edhe organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare, nga subjektet politike konsiderohen si prioritetet për vitin 2011. Përderisa nuk formohen institucionet e reja, subjektet politike thonë se nuk mund të flitet për prioritetet tjera, si: zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, veriu i Kosovës dhe çështjet e integrimeve evropiane.


Konstituimi i institucioneve të reja të Kosovës është një ndër sfidat e para, me të cilat do të ballafaqohen subjektet politike gjatë vitit 2011. Bisedimet rreth formimit të qeverisë së ardhshme, besohet se do të marrin një kah më të qartë pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit.

Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës dhe mandatari i saj për kryeministër, Hashim Thaçi, fillimisht do të marrin nismën për formimin e një koalicioni të ri qeverisës.

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, thotë se prioritetet e tij dhe të qeverisë së ardhshme, nëse do të ishte në krye të saj, do të jenë vazhdimi i reformave demokratike dhe agjenda evropiane e Kosovës.

Qeveria e Kosovës
“Pas formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së një presidenti kredibil, menjëherë do të kemi nxjerrjen e vendimeve për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë që jam zotuar në procesin elektoral”.

“Do të vazhdohet me agjendën evropiane dhe do të punohet maksimalisht që të krijojmë kushte dhe mundësi më të mira për vende të reja të punës. Viti 2011 do të jetë viti i fillimit të reformave të thella evropiane, euroatlantike në Republikën e Kosovës”,
thotë Thaçi.

Ndryshe nga Hashim Thaçi, i cili beson në ndërtimin e institucioneve të reja mbi bazën dhe rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, beson se vendi duhet të krijojë një qeveri të përkohshme dhe të organizojë zgjedhje të reja.

Mustafa thotë se zgjedhjet e fundit ishin të manipuluara dhe se ato nuk prodhojnë legjitimitet për formimin e një qeverie të re.

“Ne do të presim certifikimin e rezultateve në fillimin e këtij viti. Varësisht nga to, do të marrim qëndrime të caktuara në Kryesinë e LDK-së, lidhur me ardhmërinë e qeverisjes së Kosovës në të ardhmen, por që siguron se në fund të vitit të ardhshëm duhet të hyjmë në zgjedhje të përgatitura, të cilave do t’u paraprijë ndryshimi i Ligjit zgjedhor, do t’u paraprijë regjistrimi i popullatës dhe parakushte të tjera, në mënyrë që të mos ketë abuzime të votës dhe në mënyrë që organet e zgjedhura të jenë rezultat i vullnetit të qytetarëve”, thekson Mustafa.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se gjatë vitit 2011 Kosova duhet të fillojë të përballet me probleme të shumta, të cilat nuk janë zgjidhur asnjëherë, por vetëm se janë bartur nga një vit në tjetrin. Sipas Kurtit, një trend i tillë rrezikon që Kosova të shihet si një shtet i dështuar.

“Nëse në vitin 2011 Kosova përfundimisht nuk bëhet me sovranitet dhe me zhvillim ekonomik, pra nëse në vitin 2011 shtetit të pavarur të Kosovës nuk ia bashkëngjesim sovranitetin dhe shoqërisë kosovare nuk ia bashkëngjesim zhvillimin ekonomik, atëherë ne, me siguri, nga një shtet i dobët do të shndërrohemi në një shtet të dështuar”, deklaron Kurti.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar procesin e fundit zgjedhor të manipuluar, por nuk ka kërkuar zgjedhje të reja.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti në detyrë është ai i cili do të iniciojë formimin e qeverisë, duke i dhënë rastin fillimisht partisë fituese të zgjedhjeve.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, thotë se formimi i institucioneve të reja do të jetë prioriteti numër një i punës së tij gjatë vitit 2011.

“I gjithë prioriteti im do të jetë i përqendruar në përmbylljen e procesit zgjedhor dhe në kalimin e institucioneve nga institucione në detyrë në institucione të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, 2010”, thotë Krasniqi.

Përderisa Kosova të mos i ketë të formuara institucionet e reja, prioritetet tjera, si: zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, veriu i Kosovës dhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave e integrimet evropiane, mbase do të presin përgjigjen që do t’iu japë qeveria e re.

Aktualisht ka disa opsione, por tri konsiderohen si më reale: fillimisht formimi i një qeverie që del si rezultat i zgjedhjeve, opsion i dytë është qeveria teknike, ndërsa si opsion i tretë ndërtimi i një qeverie mbi bazat e një koalicioni të gjerë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG