Ndërlidhjet

logo-print

Familjarët e të pagjeturve - pa arsye për festë


Prishtinë, 30 Gusht - Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve

Prishtinë, 30 Gusht - Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve

Nën organizimin e Këshillit të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, familjarët e të pagjeturve mbajtën një protestë para objektit të Qeverisë së vendit, një shenjë pakënaqësie për punën e institucioneve përgjegjëse lidhur me zbardhjen e fatit të mbi 1800 të pagjeturve. Ata shfaqën shpresën që të ketë rezultate për këtë çështje gjatë bisedimeve të ardhshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por theksuan rëndësinë që pala kosovare të përfaqësohet me njerëz që e njohin këtë problematikë.


Për dallim nga pjesa më e madhe e qytetarëve në Kosovë dhe në të gjithë botën, të cilët po bëjnë përgatitjet e fundit për të festuar ndërrimin e moteve, familjarët e të pagjeturve në Kosovë thonë se as këtë vit nuk kanë arsye për të festuar.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në listën e të pagjeturve figurojnë ende emrat e rreth 1800 personave, familjarët e të cilëve u shprehën të zhgënjyer me punën e institucioneve përgjegjëse lidhur me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Fotot e personave të pagjetur të varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.

Bajram Qerkinaj nga Mitrovica tha se që nga 1999-ta nuk ka asnjë informatë për fatin e birit të tij, Reshatit. Ai i cilësoi minimale përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për kërkimin e informatave dhe në adresimin e përgjegjësisë për të pagjeturit në vend, ndërsa theksoi rëndësinë për kushtëzimin e shtetit serb lidhur me këtë çështje.

“Neve, si familjarë, na duket se nuk kanë punuar aspak. A thua pse? Sepse nuk e kanë bërë asnjë apel jashtë Kosovës për t’u zbardhur fati i të pagjeturve. Derisa vendorët nuk vetëdijesohen dhe nuk na ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ose nuk i vihet një kusht Serbisë - dihet se adresa është në Serbi, nuk mund të pajtohemi se po bëhet aq sa duhet”
, tha Qerkinaj.

Autoritetet kosovare kishin paralajmëruar kohë më parë se një ndër temat që fillimisht pritet të diskutohet në kuadër të dialogut të ardhshëm me Beogradin zyrtar, do të jetë çështja e personave të pagjetur.

Protesta në Prishtinë, 30 Gusht 2010.

Maliq Demiri nga fshati Syriganë i komunës së Drenasit, ka të zhdukur të vëllanë. Demiri shfaqi shpresën se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të sjellin rezultate lidhur me të pagjeturit, mirëpo ai tha se kjo çështje duhet të jetë temë prioritare e bisedimeve.

“Së pari duhet të vendoset realizimi i çështjes së të zhdukurve
”, theksoi Demiri pas një proteste të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kreu i Këshillit Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Haki Kasumi, drejtoi një varg kritikash në adresë të institucioneve vendore e ndërkombëtare - përgjegjëse për të pagjeturit në vend. Kasumi përmendi disa nga shqetësimet e familjarëve të të pagjeturve.

“Këto janë raportet ndërmjet udhëheqësve vendorë e ndërkombëtarë në Zyrën për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore në Prishtinë, raporti i zviceranit i miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili ka shqetësuar tej mase familjarët e të zhdukurve me njëanshmërinë dhe tendencat raciste ndaj shqiptarëve. Po ashtu, kohëve të fundit po flitet shumë për bisedimet me Beogradin, ndërsa ne nuk jemi të informuar se sa janë të gatshëm njerëzit tanë të përballen me njerëz - sajues të gënjeshtrave”,
theksoi Kasumi.

Në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë gjenden mbi 400 mbetje mortore, mirëpo, sipas përfaqësuesve të këtij instituti, që nga muaji prill i këtij viti, zyrtarët e EULEX-it ia kanë ndaluar punën stafit vendor, që të merret me ekzaminimet e mbetjeve mortore.

Lexoni edhe këto:

Ankthi i pritjes
“Jetët e zhdukura”
XS
SM
MD
LG