Ndërlidhjet

logo-print

Prishtinë: Familja Fetahu festoi në shtëpi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Ndërrimi i moteve në Prishtinë, në të shumtën e rasteve, është shënuar në ambiente familjare.

Festa e Vitit të Ri në mesnatë është kremtuar edhe nga familja 5-anëtarëshe, Fetahu. Anëtarët e kësaj familjeje, të cilët jetojnë në pjesën qendrore të Prishtinës, festën e kishin filluar që në orët e hershme të mbrëmjes.

Në hyrje të shtëpisë së tyre, ishte vendosur bredhi i Vitit të Ri, i stolisur me drita vezulluese. Në dhomën ku familja Fetahu ishte mbledhur për të festuar, pritja ishte e ngrohtë.

Avni Fetahu, specialist i urologjisë, tha se familja e tij, vitet e fundit, ashtu sikurse edhe mbrëmë, e kishte pritur ndërrimin e moteve, siç theksoi ai, me ngrohtësinë familjare.

Ndërrimin e motmoteve e pres në gjirin familjar, duke pasur parasysh se një kohë të gjatë i kam munguar familjes sime gjatë edukimit tim specialistik. Kështu që, ambient më i ngrohtë se gjiri familjar, besoj se nuk ka askund. Me fëmijët, me gruan, familjarët, axhën e kam afër këtu, pastaj me fqinjët, me të gjithë këta”.

“Besoj se po kalojmë mirë, meqë është një ambient shumë i ngrohtë; atmosferë e gëzueshme, e hareshme. Normalisht, do t’i harrojmë ato të këqijat gjatë vitit që e lamë pas. Besojmë se do të na prijë viti 2011 me të mira më të mëdha, qoftë shpirtërore, qoftë materiale”, tha kryefamiljari, Avniu.

Bashkëshortja e Avniut, Hatixhja, mësimdhënëse në ciklin e mesëm, derisa përpiqej që në tavolinën festive të mos mungonte asgjë, tha se beson që tashmë jo vetëm në familjen e saj, por në gjithë Kosovën, kremtimi i Vitit të Ri, shënohet me një frymë shumë më të lirë, sesa që festohej në fëmijërinë e saj.

Vitin e Ri e festojmë këtë vit, paksa më ndryshe. Jemi më të pavarur. Njerëzit janë më të lirë. Ka gëzim, sidomos te fëmijët, sepse ata dinë ta shprehin më mirë. Kemi dëshira të shumta. Dëshiroj që të përmirësohet gjendja nga ana materiale, për të gjithë njerëzit”, u shpreh e Hatixhja.

Përderisa festa vazhdonte në këtë familje, fëmijët po bënin gati fishekzjarrët që të shënonin orën 00: 00, kur ndërroheshin motet.

Ragmiu, 10 vjeç, tha se fishekzjarrët do t’i ndizte me ndihmën e prindërve, ndërkohë që ai shprehu dëshirat e tij për të ardhmen.

Atmosferë festive në Prishtinë...
Po festoj me familje. Këta më ndihmojnë që t’i gjuaj fishekzjarrët. Unë jam në klasën e katërt, në shkollën ‘Ismail Qemajli’. Unë kam dëshira të shumta, por një nga dëshirat e mia më të mëdha është që të gjithë të shkollohemi mirë, të gjithë shqiptarët anë e mbanë. Unë kam dëshirë që prindërit të kalojnë shumë mirë, të kenë pushime sa më të këndshme dhe punë sa më të mirë. Edhe vetë unë, të shkollohem”, ishin dëshirat e Ragmiut 10-vjeçar.

Edhe Majlinda 12 vjeçe, tha se po kënaqej me festën dhe shprehu dëshirat e saj për vitin 2011:

“Ne jemi në ambient familjar. Festojmë shumë mirë dhe jemi të gëzuar shumë, duke kënduar, duke vallëzuar me prindërit dhe vëllezërit. Në vitin që vjen, duke pasur parasysh që jam nxënëse shembullore, dëshiroj që në shkollë të kemi kushte më të mira dhe të vazhdoj të jem shembullore. Dëshiroj kushte më të mira për të varfrit. Dëshiroj që të jenë edhe ata të lumtur, sepse edhe ata kanë të drejtë të jetojnë mirë sikur ne”.

Në fund, Avniu tha se, përveç tjerash, edhe ai e ka të njëjtat pritje dhe dëshira sikurse shumica e kosovarëve.

“Shpresojmë që të kemi sivjet edhe njohje më të shumta. Po hyjmë pak në politikë, meqenëse çdo gjë po varet prej saj... Do të thotë, uroj të realizohet sa më shpejtë anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke na njohur edhe shumë shtete, të cilat presim të na njohin gjatë këtij viti”, tha ai.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG