Ndërlidhjet

logo-print

Banac: Idetë për shkëmbim territoresh, të papranueshme


 Ivo Banac

Ivo Banac

“Mendoj se pala serbe do t’i shfrytëzojë bisedimet për të promovuar ide të ndryshme për shkëmbim territoresh - gjë që është e papranueshme”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ligjëruesi në Universitetin Yale, Ivo Banac.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të përfundojnë pas mesit të muajit janar. Qeveria e ardhshme që pritet të formohet pas këtyre zgjedhjeve, thuhet se do të jetë përgjegjëse për dialogun e ardhshëm me Beogradin zyrtar. Kur mendoni se mund të nisë ky dialog dhe cilat janë temat që duhet t’i diskutojnë të dy palët?

IVO BANAC

I kam përcjellë zgjedhjet që u mbajtën; ato do të vazhdojnë në janar. Nga ajo që unë kam parë, rezultatet kanë treguar se elektorali në Kosovë është i ndarë në disa opsione. Nuk mendoj se duhet të jap ndonjë koment analitik mbi vetë zgjedhjet.

Mendoj se është e rëndësishme që partia e zotit Albin Kurti ka fituar një bllok domethënës të votave për shumë arsye - për tendencat reformuese dhe për shkak se ka treguar që një numër i madh i votueseve kosovarë janë të pakompromis në lidhje me disa çështje. Mendoj, gjithashtu se, pas aq shumë vitesh, gjatë të cilave nga Bashkësia Ndërkombëtare është kërkuar të kalojnë kthesa të ndryshme, kjo është absolutisht e kuptueshme. Deri në një masë, kjo kufizon mundësitë që do t’i ketë zoti Thaçi në negociatat me Beogradin.

Të jem i sinqertë, nuk shoh ndonjë kuptim në rishqyrtimin e gjërave, të cilat ishin të vendosura mjaft mirë në kohën kur Kosova u bë e pavarur. Shumica e këtyre çështjeve janë pjesë e Planit të Ahtisaarit, i cili bukur shumë u përfshi në Kushtetutën e Kosovës.

Shqyrtimi i sërishëm i këtyre çështjeve, ndoshta me qëllim të shtimit të autoritetit për enklavat serbe, nuk mendoj se do të ishte i frytshëm. E vetmja gjë që do të ndodhte dhe mendoj se ky është një kënd, të cilin e synon një pjesë e caktuar e Bashkësisë Ndërkombëtare, është se qeverisë serbe i jepet një detyrë, që përndryshe do të vendosej në kursin kundërshtues të saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Pra, përfitimi i vërtetë i kësaj i drejtohet presidentit Tadiq dhe palës së tij.

Siç po e shihni, jam skeptik lidhur me këto negociata. Shoh se do të jetë shumë e vështirë të mënjanohen ato. Nuk pres që të ketë rezultate domethënëse. Mendoj se pala serbe do t’i shfrytëzojë bisedimet për të promovuar ide të ndryshme për shkëmbim territoresh - gjë që është e papranueshme. Mendoj se do të duhej të ishte e papranueshme për të gjithë Bashkësinë Ndërkombëtare, por fatkeqësisht shoh se ka mungesë të zgjidhjeve të kësaj çështjeje në disa drejtime.

Pra, është një thes i përzier i elementeve të pafavorshme. Kosova është e pavarur, mendoj se ky është fundi i tregimit, por supozoj se duhet të kalojë një kohë e caktuar derisa të gjitha palët e përfshira të pranojnë se kjo situatë është e pakthyeshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse jeni skeptik për vetë dialogun, nga Bashkimi Evropian është bërë e ditur se ai (dialogu) është një hap i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dyja palëve. A mendoni se jo vetëm Bashkimi Evropian, por ndoshta edhe vendimmarrës të tjerë ndërkombëtar si Uashingtoni apo Kombet e Bashkuara, do të duhej ta kishin një rol në këtë dialog?

IVO BANAC
Kam aluduar në mënyrë të sjellshme se pjesë e këtyre negociatave është pikërisht qëndrimi i parregullt i Bashkimit Evropian, apo më saktësisht i disa shteteve kyçe anëtare të Bashkimit Evropian. Mendoj se është absolutisht esenciale për Shtetet e Bashkuara të jenë të përfshira në këtë çështje dhe kjo është arsyeja pse Beogradi po bën çmos për ta përjashtuar Uashingtonin nga këto negociata.

Nuk mendoj se ky është një kurs i mençur. Mbi të gjitha, ishte pikërisht politika e Shteteve të Bashkuara ajo që ndali mundësinë e zhdukjes së popullit të Kosovës. Pra, meqë politika amerikane i ka kontribuar dukshëm emancipimit të shqiptarëve kosovarë, nuk shoh mundësi që amerikanët të margjinalizohen nga këto çështje. Ata nuk mund të margjinalizohen.

Por, fakti se përse po luhet me këtë çështje, është një indikacion për mënyrën e kthimit në gjërat, për të cilat nuk kemi menduar se mund të përsëriten. Prandaj, po mendoj se është tmerrësisht e rëndësishme që amerikanët të jenë të përfshirë dhe mesazhi që duhet t’i dërgohet Beogradit është se ky do të ishte një “rrip i sigurt” edhe për ta. Nëse ata duan të bëjnë atë që është e pashmangshme-pra, të pranojnë se Kosova është një fakt.

Mirëpo, nëse ata duan t’i shfrytëzojnë këto negociata për të vazhduar presionin ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare me qëllim për t’i shtyrë ata që nuk e kanë njohur Kosovën që të vazhdojnë me atë kurs, atëherë mendoj se nuk ka ndonjë dobi nga këto negociata.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, së fundi raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, paraqiti një raport, në të cilin kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe disa pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen, ndër të tjera, për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës më 1999. Cilat mendoni se janë efektet që ka prodhuar raporti lidhur me imazhin e Kosovës dhe lidhur me bisedimet e ardhshme me Beogradin?

IVO BANAC
Po qe se do të nisesha nga një mendim konspirativ, do të konkludoja se kjo erdhi në kohën kur nevojitej të ushtrohej një presion ndaj Qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër, unë njoh zoti Marti dhe isha anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës disa vite më parë, ku kam punuar në krahun e njëjtë - atë të liberalëve. Njoh punën e tij dhe mendoj se është njeri i sinqertë dhe ndoshta ka diçka në këtë, por ka shumë për t’u vërtetuar këtu.

Për aq sa kam vërejtur unë, disa elemente në këtë tregim janë tërësisht të pabesueshme dhe ne nuk dimë se për çfarë numri të viktimave bëhet fjalë. Thuhet se bëhet fjalë për një grusht njerëzish. Në gjenocidin e kryer në Srebrenicë kanë qenë rreth shtatë deri në tetë mijë njerëz. Askush nuk e ka përdorur këtë si argument kundër njohjes ndërkombëtare të Serbisë.

Nëse raporti i zotit Marty është një arsyetim për të zgjatur vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, atëherë mendoj se kemi të bëjmë me një devijim, i cili do të duhej të kundërshtohej nga të gjithë ata që kanë njohuri politike. Fatkeqësisht, mendoj se ky ka krijuar një dëm të madh për kursin aktual të Kosovës dhe mendoj se, deri në një masë, është dezorientues.

E vetmja gjë që mund t’u sugjeroj liderëve politikë në Prishtinë është që të insistohet në një hetim të thellë dhe konkret dhe jo të futet nën qilim kjo çështje. Pastaj do të duhej të insistohej që ata, të cilët po e përdorin këtë si mjet presioni ndaj Kosovës, të ballafaqohen me konsekuencat e kësaj politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët një hetim tjetër, të cilin duhet ta kërkojnë autoritetet kosovare. Kush do të duhej ta udhëhiqte këtë hetim? Kemi parë në të kaluarën një hetim të zhvilluar nga Tribunali i Hagës lidhur me trafikimin e njerëzve gjatë luftës në Kosovë, pastaj edhe nga EULEX-i. Kush do të duhej të ishte përgjegjës për këtë hetim?

IVO BANAC
Kjo ia mundëson Qeverisë së Kosovës që të marrë një iniciativë dhe ndoshta do të duhej të përfshihej një grup i individëve të shquar ndërkombëtarë - njerëz që qëndrojnë larg dyshimeve për ndonjë paragjykim të veçantë, pra diçka si “Komisioni Dewey” i vitit 1930, i cili hetoi burimet e gjykimeve të Moskës.

Atëherë, një numër i caktuar i figurave të njohura u caktuan të gjejnë se cila është në fakt e vërteta e atyre akuzave. Mendoj se kjo mund të bëhet. Do të kërkonte pak mendim, punë dhe të tjera, por mendoj se një trup i pavarur i 5 deri 10 njerëzve - le të themi se do të themelohej një komision lidhur me akuzat e Martit, i cili pastaj do të merrej me gjërat e nevojshme.
XS
SM
MD
LG