Ndërlidhjet

Privatizimi në 2010: Sukseset dhe dështimet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Privatizimi në Kosovë gjatë vitit që lamë pas, ka qenë i suksesshëm, thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare Privatizimit, përderisa njohës të çështjeve ekonomike tregojnë edhe dështimet gjatë këtij procesi.


Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e vlerësojnë të suksesshëm procesin e privatizimit gjatë vitit 2010, përderisa njohës të çështjeve ekonomike e quajnë si pjesërisht të mirë .

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tregon se gjatë këtij viti kjo agjenci ka shpallur 7 valë të privatizimit, ku janë krijuar 66 ndërmarrje të reja, shuma e të cilave ka arritur në mbi 70 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe privatizimin e ndërmarrjes “Sharr cem” në Kaçanik, që është shitur me çmimin më të lartë gjatë tërë procesit - me 30.1 milionë euro.

Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tani janë krijuar 624 ndërmarrje të reja, prej të cilave 599 janë privatizuar përmes spin off-it të rregullt, ndërsa 25 të tjera janë të privatizuar përmes spinoff-it special.

“Deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2010, privatizimi i ndërmarrjeve në pronësi shoqërore dhe likuidimi i tyre ka kapur shumën 490 milionë euro, ose 462 milionë euro nga privatizimi. Ndërsa, nga procesi i likuidimit përmes shitjes së aseteve të ndërmarrjeve, janë gjeneruar rreth 28 milionë euro. Kësaj shume i shtohen edhe 34.6 milionë euro në lidhje me shitjen e “Sharr Cementit” në muajin dhjetor”
, thotë Kaloshi.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se procesi i privatizimit gjatë këtij viti ka qenë pjesërisht i mirë. Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, si sukses gjatë këtij viti vlerëson privatizimin e ndërmarrjes “Sharr cem” dhe koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Postë-Telekomi i Kosovës

Por, Musa tregon edhe për dështimet që e kanë përcjellë këtë proces:

“Si dështime mund të them se janë zvarritja apo stërzgjatja e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, gjithashtu edhe mosfutja e një kompanie të fortë në sektorin e energjetikës. Këtu, në rend të parë, e kam fjalën për projektin “Kosova e Re “dhe shitjen e distrubuimit të transmisionit elektrik në Kosovë”.


Ndryshe, si problem që vazhdimisht është përmendur nga ekspertët e ekonomisë, gjatë këtij viti, sikurse edhe viteve të kaluara, është mosprivatizimi i kompleksit turistik “Brezovica”.

Por, Ylli Kaloshi, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, thotë se kjo qendër turistike do të privatizohet këtë vit.

Brezovica

“Ne planifikojmë të vazhdojmë me Brezovicën në vitin 2011, duke filluar me një konferencë për investitorë, për të përcaktuar strategjinë optimale për privatizim”,
bën të ditur Kaloshi.

Ndërkaq, përfaqësues të sindikatave të punëtorëve, procesin e privatizimit gjatë këtij viti e quajnë jotransparent dhe të dështuar sa i përket shpërndarjes së 20 përqindëshit.


Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se ky proces nuk ka qenë efikas, për shkak se janë shkelur të drejtat elementare të punëtorëve.

“Ka ndërmarrje që janë privatizuar qe 6 - 7 dhe punëtorët ende nuk kanë mundur të realizojnë atë 20 përqindëshin e tyre, pasi mjetet rrinë të bllokuara apo të ngrira nëpër banka të ndryshme dhe as ne, e as ata (AKP-ja), nuk e dimë se ku janë dhe cila është shkalla e interesit të tyre”,
shprehet Dragusha.

Por, fajin për këtë Ylli Kaloshi e hedh te Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Problemi që ndikon në të gjitha aspektet e aktiviteteve të agjencisë, është dështimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për të pranuar AKP-në si pasardhëse e AKM-së. Megjithatë, AKP-ja, si iniciativë të madhe të rregullores ka vendosur ta përshpejtojë rregulloren e 20 përqindëshit, e cila është miratuar në fillim të vitit. Në total janë përfunduar 2 lista që mbulojnë 11,000 punëtorë me të drejtë në 28.5 milionë euro. Megjithatë, vetëm katër raste janë miratuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. Si pasojë, agjencia nuk mund t’i paguajë këto ankesa”, shpjegon Kaloshi.

Sidoqoftë, sipas Ylli Kaloshit, Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjatë këtij viti do të fokusohet në përshpejtimin e procesit të likudimit në privatizimet strategjike, përfundimin e listave të 20 përqindëshit, si dhe zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura lidhur me spinoff-et speciale dhe ndryshimet e ligjit lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Dhomën e Posaçme.

Lexoni edhe këto:

A ka dështuar privatizimi në Kosovë?
Privatizimi i Brezovicës, sukses politik
Privatizimi i ndërmarrjeve jashtë Kosovës
XS
SM
MD
LG