Ndërlidhjet

Prizma të ndryshëm për raportet ndëretnike


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Raportet ndëretnike në Maqedoni, opozita shqiptare i vlerëson të tensionuara si pasojë e disa projekteve antishqiptare që janë miratuar gjatë vitit 2010. Opozita veçon rastin me enciklopedinë maqedonase, projektin mono-etnik "Shkupi 2014" dhe mësimin e detyruar të maqedonishtes nga nxënësit shqiptarë të klasave të para. Por, partitë në pushtet thonë se gjatë vitit të kaluar është arritur që shumë projekteve të miratuara nga qeveritë e kaluara, t’u japin karakter shumetnik, ndërsa veçojnë edhe të arriturat sa i përket gjuhës shqipe dhe përfaqësimit në institucione.


Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nga partitë shqiptare vlerësohen varësisht nga veprimi i tyre politik.

Partitë opozitare thonë se raportet mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, asnjëherë nuk kanë qenë më të tensionuara sesa tani dhe fajtor për këtë, sipas partisë Demokracia e Re, është koalicioni qeveritar, e në veçanti, partneri shqiptar që participon në të.

Arjanit Hoxha, zëdhënësi i Demokracisë së Re, thotë se projekti mono-etnik “Shkupi 2014”, që parasheh vendosjen e dhjetëra përmendoreve maqedonase në kryeqendrën e Maqedonisë, enciklopedia maqedonase që fyente shqiptarët, vendimi për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë, janë vetëm disa nga vendimet e Qeverisë, që kanë çuar në pikën e vlimit raportet ndëretnike në vend.
...që nga vitit 2001 e këndej, viti 2010 do të mbahet mend si vit i acarimit të raporteve ndëretnike, por edhe për situatën katastrofale politike dhe ekonomike në vend.

“Nëse kësaj i shtohet edhe sjellja e Ligjit diskriminues për regjistrimin e popullsisë, që do të lërë jashtë mbi 250 mijë shqiptarë, atëherë mund të konstatojmë se që nga vitit 2001 e këndej, viti 2010 do të mbahet mend si vit i acarimit të raporteve ndëretnike, por edhe për situatën katastrofale politike dhe ekonomike në vend”, thotë Hoxha.

Sipas Hoxhës, situata në planin ndëretnik mund të përmirësohet vetëm me largimin e qeverisë aktuale.

“Ne vlerësojmë se kjo qeveri duhet të largohet nga pushteti në vitin 2011, dhe të vijnë forca progresive që do ta çonin vendin në familjen e madhe të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që do të relaksonin raportet ndëretnike në vend dhe që do të punonin për të mirën ekonomike të vendit dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”
, shton Hoxha.

Por, me këto vlerësime nuk pajtohet Tahir Hani nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Sipas tij, përveç ngritjes së nivelit të përdorimit të gjuhës shqipe në Kuvend, rritjes së përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, BDI-ja arriti të menaxhojë me sukses edhe disa projekte të miratuara në periudhën 2006/2008, kur në pushtet nuk ishte BDI-ja, siç është rasti me projektin mono-entik, “Shkupi 2014”.
Një nga temat më problematike dhe konfliktuoze që ka qenë në vitin 2010, është projekti ‘Shkupi 2014’.

“Një nga temat më problematike dhe konfliktuoze që ka qenë në vitin 2010, është projekti ‘Shkupi 2014’. Por, ne arritëm që të imponojmë zgjidhjen që Shkupi të reflektojë realitetin e shtetit shumetnik dhe në qendrën e tij të vendosen edhe përmendore të personaliteteve të shquara shqiptare”.

“Ne jemi përpjekur në maksimum që të arrijmë disa rezultate pozitive dhe në këtë drejtim, do të kisha potencuar faktin se në Kuvendin e Maqedonisë ne kemi arritur që të zbatojmë përdorimin e gjuhës shqipe”, shprehet Hani, anëtar i Kryesisë qendrore të BDI-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar.

Hani për këtë vit kërkon nga të gjithë që të japim kontributin maksimal, në veçanti institucionet, sipas tij, duhet të jenë shumë më rigoroze për parandalimin e veprimeve që ndikojnë në prishjen e raporteve ndëretnike në Maqedoni.

Ndërkaq, sa i përket raporteve ndëretnike, Marijana Malevska, ligjëruese universitare, thotë se tensionimi i tyre vjen, në radhë të parë, për shkak të ngecjeve në procesin e integrimit të vendit.
Mendoj se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë vlera që neve do të na bashkonin.

Sipas Malevskës, institucionet relevante, si pushteti dhe të gjitha partitë, duhet të kenë prioritet integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Në shoqëri të këtilla shumetnike, siç jemi ne, ka shumë gjëra që na ndajnë, siç janë: dallimet gjuhësore, fetare, arsimimi paralel, e kështu me radhë. Mendoj se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë vlera që neve do të na bashkonin. Prandaj, duhet të arrijmë zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe anëtarësimin e vendit në këto organizma, pasi çdo zvarritje e këtij procesi mund të reflektohet në raportet ndëretnike, pasi të gjitha anketat flasin se shqiptarët më shumë se të gjithë të tjerët, dëshirojnë integrimin në NATO dhe BE”,
thekson Malevska.
XS
SM
MD
LG