Ndërlidhjet

Prioritetet e serbëve - kthimi dhe komunat e reja


Fushatë e serbëve të Kosovës qendrore për zgjedhjet e 12 dhjetorit. (Foto arkivi)
Fushatë e serbëve të Kosovës qendrore për zgjedhjet e 12 dhjetorit. (Foto arkivi)
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës veçojnë disa nga prioritetet e tyre gjatë vitit 2011. Ata prezantohen me dallime të theksuara për mënyrën se si mendojnë t’i realizojnë synimet politike. Përderisa subjektet serbe që janë përfshirë në institucione mendojnë që politikat e tyre t’i realizojnë përmes institucioneve të Kosovës, serbët e pjesës veriore kryesisht mbështeten te bashkëpunimi me autoritetet ndërkombëtare dhe Beogradin.


Kthimi i serbëve në Kosovë dhe formimi i komunave të reja me shumicë nga radhët e këtij komuniteti, janë disa nga prioritetet e përfaqësuesve politikë serbë për vitin 2011.

Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, thotë se partia e tij do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, siç ishte edhe në mandatin paraprak. Kurse, si synim kryesor, ai pret realizimin e projekteve që janë në interes të komunitetit serb, e të cilat do të realizohen përmes institucioneve të Kosovës.

Ai thotë se ka ministri, përmes të cilave serbët do të mund t’i realizojnë më lehtë projektet në interes të komunitetit që përfaqësojnë.

“Çështja nuk është vetëm të jesh pjesë e qeverisë dhe pushtetit, por duhet punuar diçka për qytetarët”, thotë Petroviq.

Partia Liberale, nënvizon ai, ka dalë në zgjedhjet e kaluara kur asnjë subjekt tjetër serb nuk kishte guximin ta bënte këtë. Kjo, sipas tij, i është shpërblyer kësaj partie me votat e fituara si partia tashmë më e madhe e serbëve në Parlamentin e Kosovës.

Ndërkohë, Rada Trajkoviq, kryesuese e Listës së Përbashkët Serbe, thotë se do të insistojë që të zbatohen disa kritere të Pakos së Ahtisarit për organizimin e nivelit lokal të pushtetit.

Trajkoviq, e cila shpreson që përmes zgjedhjeve të 12 dhjetorit të sigurojë 3-4 ulëse në Kuvendin e Kosovës, thotë se do të angazhohet për formimin e komunave të reja serbe.

“Gjithsesi i presim ato kushte që na i ka mundësuar zoti Ahtisari. Pra, para së gjithash, në ato mjedise ku ka 5 mijë banorë, të formohen komunat e reja, me mundësinë që edhe në komunat tjera ku do të ketë të kthyer dhe ta plotësojnë këtë numër, të formohen edhe komuna të tjera”, thotë Trajkoviq.

Ajo angazhohet edhe për vazhdimin e lidhjeve institucionale të komunave serbe me Serbinë në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, siç e parasheh edhe Pakoja e Ahtisarit.

Serbët e veriut kanë bojkotuar zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut, të cilët i bojkotojnë në tërësi institucionet shtetërore të Kosovës, thonë se prioriteti kryesor është kthimi i serbëve. Njëri nga përfaqësuesit e tyre, Marko Jakshiq, thotë se pas 11 vjetësh, serbët duhet të kthehen në Kosovë.

“Ajo që unë pres, është që 220 mijë serbët, të cilët nga presioni u detyruan ta lëshojnë Kosovën, të fillojnë të rikthehen”, thotë Jakshiq.

Për realizimin e procesit të kthimit, ai pret mbështetjen ndërkombëtare nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, viteve të fundit, janë prezantuar në vazhdimësi si dy rryma politike: ajo që përfaqëson serbët e pjesës qendrore, të cilët kryesisht po integrohen në institucione, dhe ajo që përfaqëson veriun, që refuzon në vazhdimësi bashkëpunimin dhe pranimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG