Ndërlidhjet

Kosova, në aspektin ekonomik, edhe gjatë vitit që kemi lënë pas, është ballafaquar me problemet që ka sjellë mosfunksionimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Evropën Qendrore - CEFTA. Prodhuesit kosovarë dhe njohësit e çështjeve ekonomike thonë se qeveria është dashur të gjejë zgjidhje për këtë problem.


Çështja më e diskutuar gjatë vitit që kemi lënë pas në aspektin ekonomik, ka qenë mosfunksionimi i Marrëveshjes CEFTA. Ekspertët e ekonomisë gjithnjë kanë kërkuar zgjidhje, ndërsa autoritetet përgjegjëse, gjatë gjithë vitit, kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për të zgjidhur çështjen në fjalë.

Problemet me Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore kanë lindur kur në dhjetor të vitit 2008, shtetet fqinje - Serbia dhe Bosnja e Hercegovina - kanë bllokuar mallrat e Kosovës.

Kjo ka ndodhur pasi në shkurt të po këtij viti, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe rrjedhimisht vulat e UNMIK-ut janë zëvendësuar me ato të Republikës së Kosovës. Këto vula nuk i njeh as Serbia, as Bosnja.

Prodhuesit kosovarë janë ata që më së shumti kanë pësuar humbje nga bllokimi i mallrave nga këto dy shtete. Vreshtaria dhe veraria “Stone Castle” në Rahovec është njëra nga to.

Menaxheri i përgjithshëm, Shani Mullabazi, tregon se kjo kompani ka humbur blerës jo vetëm në Serbi e Bosnjë, por edhe në vende të tjera të Evropës.

Humbjet thuhet se kanë ndodhur për shkak se produktet kosovare nuk janë lejuar as transit të kalojnë nëpër këto shtete.

“Kjo na ka ngritur shpenzimet e transportit, që kanë qenë 40 për qind më të larta se zakonisht. Blerësit tanë kanë qenë të detyruar t'i anulojnë kontratat që kemi pasur dhe të orientohen në tregje të tjera. Pos kësaj, kjo është reflektuar edhe në zinxhirin e tërësishëm prodhues, sepse bujqit e Rahovecit nuk kanë pasur mundësi që rrushin e prodhuar, ta finalizojnë...“, thotë Mullabazi.

Prodhuesit kosovarë janë ata që më së shumti kanë pësuar humbje nga bllokimi i mallrave nga Serbia e Bosnja...
Kosova ka humbur një treg rajonal prej 15 milionë banorësh nga mosfunksionimi i CEFTA-s, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Lumir Abdixhiku, nga Instituti “Riinvest”, thotë se autoritetet përgjegjëse janë treguar të papërgatitura karshi këtij problemi. Sipas tij, institucionet kosovare është dashur t’i kundërpërgjigjen Serbisë dhe Bosnjës me masa të njëjta, duke ndaluar hyrjen e mallrave të tyre në vend.

“Ka qenë një neglizhencë totale nga institucionet e Kosovës. Nuk mbaj mend se është mbajtur ndonjë mbledhje qeveritare për shqyrtimin e çështjes së CEFTA-s. Nuk ka pasur asnjëherë gatishmëri nga institucionet tona që të mbahet një mbledhje për vendosjen e një rendi në një marrëveshje që i jep çdo të drejtë Kosovës... Prandaj, mosdhënia e reciprocitetit është bërë pikërisht për shkak të neglizhencës nga institucionet tona”, thotë Abdixhiku.

Autoritetet kosovare vazhdimisht kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi. Ato kanë pranuar faktin se Kosova po humb shumë nga mosfunksionimi i CEFTA-s.
Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se ende nuk ka ndonjë përllogaritje të dëmeve, që kjo bllokadë i ka shkaktuar komunitetit të biznesit.

Është një matematikë e thjeshtë - në këto marrëdhënie tregtare ka fituar me siguri dhe padyshim Serbia e Bosnja. Kosova ka pësuar dëme dhe realisht nuk ka pasur një zbatim të drejtë të marrëveshjes CEFTA”, deklaron Keqa.

Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore në korrik të vitit 2007. Marrëveshja në atë kohë ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut.

Këtë vit, Serbia, e cila në 2010-ën ka udhëhequr me këtë mekanizëm, pritet t'ia kalojë kryesimin Kosovës, pasi vendi anëtar për të kryesuar me radhë këtë projekt është pikërisht Kosova.

Autoritetet kompetente kanë deklaruar se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të udhëhequr me këtë mekanizëm rajonal, duke shpresuar se gjatë këtij viti do të tejkalohen edhe problemet e paraqitura me Serbinë dhe Bosnjën.

Lexoni edhe këtë:
A rrezikohet kryesimi i CEFTA-s?
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG