Ndërlidhjet

logo-print

Iran: Ambasadorët ftohen t’i vizitojnë hapësirat atomike


Teherani ka konfirmuar sot se i ka ftuar disa ambasadorë të akredituar në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) me seli në Vjenë, që t’i vizitojnë kapacitetet bërthamore në Iran.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Ramin Mehmanparast, tha se ndër të ftuarit janë edhe disa nga përfaqësuesit e gjashtë fuqive kryesore botërore, të involvuara në bisedimet për programin atomik kundërthënës iranian.

Sipas tij, vizita në këto kapacitete atomike do të bëhet para takimit të paraparë të Iranit me gjashtë fuqitë botërore, më vonë këtë muaj në Stamboll.

Zëdhënësi Mehmanparast tha se ftesa është një shenjë e “vullnetit të mirë” të Iranit për bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Fuqitë perëndimore e akuzojnë Iranin se në mënyrë sekrete po zhvillon armatim atomik. Këtë akuzë Irani e hedhë poshtë.
XS
SM
MD
LG