Ndërlidhjet

logo-print

A do të anëtarësohet Kosova në BERZH?


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Autoritetet kompetente në Prishtinë, presin që gjatë këtij viti Kosova të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas tyre, anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm financiar për vitin 2010, është penguar nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.


Kosova gjatë këtij viti pritet të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, thotë Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave.

Shala thotë se ky proces është dashur të përfundojë në fund të vitit që lamë pas, por zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e 12 dhjetorit, e kanë zvarritur këtë proces.

“Ne kemi pasur premtime që kjo do të realizohet në fund të vitit 2010, por fatkeqësisht ndodhi çfarë ndodhi me presidentin e shtetit dhe me Qeverinë dhe ishte vështirë për të pritur që ndonjë shtet të japë votën, kur mungonte kreu i shtetit dhe qeveria”.

“Uroj që ne të kemi organe stabile, në mënyrë që të ndërtojmë kredibilitet shtetëror dhe shtetformues, dhe në këtë mënyrë ta përmbyllim edhe këtë objektiv shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës”,
thotë Shala.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se prania e kësaj banke në tregun kosovar, është e një rëndësie të madhe.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, megjithatë konsideron se autoritetet kompetente duhet të kenë programe atraktive dhe joshëse që arsyetojnë marrjen e mjeteve në këtë bankë.

“Përpjekje për të prezantuar ndonjë ofertë nga ana e Kosovës para kësaj banke, unë sa e di, Kosova nuk ka bërë. Preokupimet ishin që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e kësaj banke”,
thekson Sadiku.

Autoritetet kompetente, tashmë kanë deklaruar se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për anëtarësim në këtë institucion.

Megjithatë, pas anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm financiar, Sadiku thotë përfitimet do të jenë të mëdha në rrafshin ekonomik, pasi, sipas tij, nga ky anëtarësim do të përfitojë edhe sektori privat, rrjedhimisht kompanitë e mëdha private.

Sektori privat, nga ekspertët e ekonomisë vazhdimisht është konsideruar si motor i zhvillimit ekonomik të vendit.

“Do të thotë, se të gjitha këto kompani, të cilat do të dëshirojnë t’i shfrytëzojnë këto mjete, duhet llogaritur që në një periudhë të caktuar, gjatë shfrytëzimit të këtyre mjeteve, nuk do të paguajnë kamata, por fitimin e tyre do ta ndajnë me këtë bankë, varësisht nga përqindja e investimeve që bën banka”,
shpjegon Sadiku.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Lexoni edhe këto:

Kosova përgatitet për pranim në BERZH
Anëtarësimi i Kosovës në BERZH?
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG