Ndërlidhjet

Obama ballafaqohet me Kongresin luftarak

  • RFE /RL

Kongresi amerikan

Kongresi amerikan

Sesioni i ri i Kongresit amerikan fillon të mërkurën dhe Shtëpia e Bardhë pret kundërshtim të fuqishëm nga shumica republikane në Dhomën Përfaqësuese.

Liderët republikanë janë zotuar se do të bëjnë krejt ç’është e mundur për të anuluar planin e reformave shëndetësore të presidentit Obama.

Republikanët thanë se do të fillojnë, madje, disa hetime për një varg vendimesh tjera të administratës së demokratëve.

Senatori republikan, Lindsi Graham, deklaroi për NBC Neës, se rezultatet zgjedhore kanë dëshmuar se amerikanët dëshirojnë aksion të fuqishëm kundër borxhit, në të cilin janë futur Shtetet e Bashkuara.

“Mandati i zgjedhjeve të fundit ka qenë shumë i qartë - nga 2008 deri 2010 politikat e demokratëve janë hedhur poshtë nga populli amerikan, sepse ato kanë shkaktuar borxh të madh dhe kanë rritur administratën qeveritare”, tha Lindsi Graham.

Republikanët tashmë bënë të ditur se ndër goditjet e para do të jetë reforma historike shëndetësore e Obamës, që ishte nënshkruar në pranverën e kaluar dhe që siguroi mbrojtje shëndetësore shtesë për 30 milionë amerikanë.

Disa kandidatë republikanë gjatë fushatës zgjedhore kishin thënë se do ta anulojnë reformën shëndetësore të Obamës. Kjo në praktikë duket e pamundur, sepse nuk do të mund të kalojë në Senatin e dominuar nga demokratët dhe, edhe nëse do të kalonte, presidenti Obama ka të drejtën e vetos.

Sidoqoftë, Allan Vest, republikan nga Florida, tha për Fox Neës se sigurimi shëndetësor i sponsoruar nga shteti, i bën amerikanët të varur nga qeveria.

“Kur shikoni borxhin e madh dhe deficitin që është paraqitur gjatë dy viteve të fundit, kjo tregon se jemi duke shkuar në drejtim të gabuar. Kjo agjendë liberale nuk është diç që e duan amerikanët dhe paraqet antitezë të asaj që ne jemi”
, theksoi Allen Vest.

Por, përfaqësuesja demokrate, Nensi Pelosi, tha se ajo dhe demokratët tjerë do të angazhohen në mbrojtje të të arriturave gjatë dy viteve të fundit:

“Demokratët do të vazhdojnë të mbrojnë arritjet në planin e sigurisë ekonomike për popullin amerikan”, tha Nensi Pelosi.

Rreth kësaj çështjeje, u deklarua edhe presidenti Obama, i cili tha se pret bashkëpunim me republikanët kur bëhet fjalë për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike.

“Pritjet dhe shpresat e mia janë se lideri i shumicës në Dhomën Përfaqësuese, Xhon Boner, dhe lideri i Senatit, Miç Mekonell, do të kuptojnë se do të kenë kohë të mjaftueshme për fushatën e vitit 2012 në vitin 2012 dhe se puna e jonë këtë vit është të sigurohemi se do të mbetemi të fokusuar te rimëkëmbja ekonomike”
, theksoi Barak Obama.

Por, nga ana tjetër, disa republikanë në Dhomën Përfaqësuese sinjalizuan planet për nisjen e hetimeve ndaj vendimeve të administratës së Obamës për shumë çështje, duke nisur nga siguria e ushqimeve dhe deri te vendimet për çështjet financiare në Uoll Strit.

Në këtë kontekst republikani Darel Issa nga Kalifornia e cilësoi Obamën si “një nga presidentët me të korruptuar në kohët moderne”.

“Synim i republikanëve është që të anulojmë gjithë atë që është bërë mbi baza partiake”
, u shpreh Darrell Issa. (m.k)
XS
SM
MD
LG