Ndërlidhjet

Koalicion qeverisës apo zgjedhje të reja?


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës besojnë se me gjithë sfidat, kjo parti do të formojë një koalicion të qëndrueshëm qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Ndërkohë, idesë së udhëheqësve të LDK-së për zgjedhje të reja parlamentare gjatë vjeshtës së këtij viti, u janë bashkuar edhe ata të AAK-së.


Formimi i një qeverie stabile me shumicën e nevojshme në Parlament, do të jetë një sfidë tejet e madhe, thonë përfaqësues të partive politike në Prishtinë.

Sipas tyre, rezultati i zgjedhjeve nuk i premton asnjërit subjekt politik që si i vetëm të marrë nismën për formimin e qeverisë, andaj edhe krijimi i koalicioneve shihet si i domosdoshëm.

Në bazë të rezultateve preliminare, pritet që PDK-ja fillimisht të marrë nismën për lidhjen e një koalicioni qeverisës.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se skena politike tashmë ka pësuar ndryshime, pasi që në Parlament më nuk do të jetë një subjekt politik, si LDD-ja dhe në vend të saj do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, me një numër të konsiderueshëm të deputetëve.

Po ashtu, tash për tash shihet si i pamundur edhe koalicioni i PDK-së me LDK-në, si në mandatin paraprak, andaj PDK-së i mbetet të gjejë partnerë të ri qeverisës.

Me gjithë sfidat, Haliti beson se Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në gjendje ta krijojë këtë koalicion për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Si gjithnjë,
dua të them që në politikë nuk ka të pamundshme...


“Mendoj që PDK-ja është në konsultim të përhershëm me subjektet politike. Si gjithnjë, dua të them që në politikë nuk ka të pamundshme, dihet që janë pakicat në qeveri dhe dihet që do të gjendet formula më e përshtatshme për Kosovën dhe, normalisht, edhe PDK-në që të ketë fuqi politike për të qeverisur katër vitet e ardhshme”, thotë Haliti.

Në çdo rast, Xhavit Haliti thotë se nuk do ta mbështeste një qeveri të koalicionit të gjerë, pasi që për demokracinë kosovare, nënvizon ai, është i domosdoshëm edhe roli i opozitës.

Derisa PDK-ja shpreson të marrë nën drejtim qeverinë për katër vitet e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës pret që mandati i këtyre institucioneve të jetë më i shkurtër, duke preferuar zgjedhje të reja qysh në vjeshtën e këtij viti.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se zgjedhjet e fundit ishin të manipuluara dhe të përcjella me parregullsi. Andaj sipas tij, ato nuk prodhojnë institucione të qëndrueshme.

Si zgjidhje, Beqiri pret që Parlamenti i ri të formojë një qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja.
Deri në zgjedhje, besojmë në vjeshtën e këtij viti, mbase do të shkohej me një qeveri teknike...


Në bazë të asaj që është aktualisht ‘fituese’, e që po paraqitet PDK-ja dhe, edhe po qe se shpallen rezultatet dhe atë e nxjerrin fituese, pavarësisht vërejtjeve të shumta që i kemi bërë ne, dhe jo vetëm ne, gjatë këtij procesi zgjedhor, atëherë LDK-ja nuk e sheh veten pjesë të një koalicioni me PDK-në. Deri në zgjedhje, besojmë në vjeshtën e këtij viti, mbase do të shkohej me një qeveri teknike, e cila do të ishte pjesë e negociatave dhe marrëveshjeve. Kjo do të ishte diçka tjetër”, shprehet Beqiri.

kalkulimet e ndryshme rreth formulës së ardhshme qeverisëse, krahas PDK-së apo LDK-së, si dy parti që mund të marrin nisma për formimin e koalicionit, vazhdimisht përmendet emri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si pjesë e qeverisjes së ardhshme.

Ahmet Isufi nga Kryesia e AAK-së, thotë se ky subjekt politik do të përfshihej në një koalicion të ardhshëm, nëse përfillet programi i saj.
Konsiderojmë se nëse nuk mund të krijohet një qeveri stabile, e cila do ta çonte vendin drejt zhvillimit, atëherë do të shikonim me partitë tjera politike për një solucion...

Por, Isufi e përjashton mundësinë e hyrjes në koalicion me partitë që e çuan vendin në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Edhe Isufi shpreh mendimin që zgjedhjet e reja parlamentare gjatë vjeshtës mund të jenë zgjidhja më e mirë.

”Shikuar realisht, këto zgjedhje kanë përfunduar me shumë manipulime. Prandaj, konsiderojmë se nëse nuk mund të krijohet një qeveri stabile, e cila do ta çonte vendin drejt zhvillimit, atëherë do të shikonim me partitë tjera politike për një solucion, qoftë edhe për zgjedhjet që do të mbaheshin në vjeshtën e këtij viti”,
thekson Isufi.

Procesi zgjedhor pritet të përmbyllet me votimet e pjesshme të 9 janarit dhe me certifikimin e rezultatit. Vetëm atëherë do të jetë e qartë përbërja e re e Parlamentit dhe partitë politike do të mund t’i bëjnë më lehtë kalkulimet e tyre për koalicionin e ardhshëm.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG