Ndërlidhjet

Statusi i pazgjidhur i ish-luftëtarëve


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup
Çështja e zgjidhjes së statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, thotë Besim Hoda, është shndërruar në çështje marketingu politik mes subjekteve politike shqiptare, për nëntë vite me radhë.

Sipas Hodës, zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk paraqet vetëm rehabilitimin e tyre, por edhe fillimin e zgjidhjes së problemit të shqiptarëve në Maqedoni.

“Problem kryesor paraqet fakti se nuk është avancuar as statusi i shqiptarëve në Maqedoni. Dhe, pa zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve, është e kotë vetëm zgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, sepse ata nuk ranë dëshmorë për të fituar beneficione. Ata dhanë gjakun e tyre me idealin që të realizohen kërkesat e shqiptarëve
”, thekson Hoda.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Besim Hoda, shton se një përbërje që ia do të mirën shtetit të tij, do të angazhohet të gjejë rrugë për të instaluar një paqe të qëndrueshme, e kjo arrihet nëse të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta.

Ndërkohë, ministri për Punë dhe Politikë Sociale në Maqedoni, Xhelal Bajrami, nga radhët e BDI-së, nënvizon se me partnerin e koalicionit po bisedojnë në vazhdimësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Derisa të arrihet ujdi me palën maqedonase për miratimin e një ligji të veçantë, dikasteri që drejton ai, thotë ministri Bajrami, është angazhuar që në forma të ndryshme t'i sistemojë në punë të afërmit e tyre.

“Me përgjegjësinë më të madhe deklaroj se nuk ka familje, e cila ka humbur të afërmit e tyre dhe një ose më shumë anëtarë të asaj familjeje janë sistemuar në vende pune. Edhe ata, të cilët janë invalidë nga konflikti i armatosur dhe kanë mundësi për të punuar në vende specifike, janë sistemuar. Ka mbetur një pjesë e vogël e tyre dhe shpresoj të arrihet një zgjidhje edhe për ta”
, thotë Bajrami.

Por, deputeti i partisë shqiptare në opozitë, Abedin Zymberi nga Demokracia e Re, thekson se autoritetet tentojnë që këtë situatë ta tejkalojnë përmes pakove sociale.

Sipas tij, kjo është e patolerueshme, ngase në këtë formë nënçmohen dëshmorët, por dhe shqiptarët në përgjithësi duke mos e rregulluar ligjërisht statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, atyre që sollën Marrëveshjen e Ohrit dhe me këtë demokratizuan shoqërinë e shtetit të Maqedonisë.

“Kjo është një fatkeqësi e madhe, sepse ata arritën të ulen në kolltukët e qeverisë përmes gjakut të tyre, njëherësh keqpërdorën të arriturat e luftës së vitit 2001, që dalëngadalë përmes politikës ne po i humbim”,
thotë Zymberi, ish-përfaqësues i UÇK-së.
XS
SM
MD
LG