Ndërlidhjet

Bota pa superfuqi, rreziku për 2011


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përse mungesa e një superfuqie është rreziku numër një politik në planin global?

Sipas Ian Bremer nga Euroasia Group, sot përballemi me një rend botëror dramatikisht të ndryshëm.

Nëse shpërbërja e Bashkimit Sovjetik çoi në krijimin e së ashtuquajturës G7+1 që ndikoi në shpejtimin e globalizimit, sot pamja është tejet tjetër.

“Në gjeopolitikën aktuale të njohur si Grupi 0, sfida reale është për globalizimin në mungesë të një udhëheqjeje efektive ndërkombëtare. Ky është rendi i ri botëror, që shpjegon pse vlera e arit është kaq e lartë dhe pse korporatat po mbajnë sasi të mëdha parash mënjanë, pasi janë të pasigurta se ku do të çojë ky rend i ri botëror”
, thotë Bremer.

Ai shton se sipas analizave të grupit që drejton, asnjë nga vendet që i takojnë hapësirës ish-Sovjetike nuk paraqet rrezik të madh gjeopolitik. Madje, Bremer shkon dhe më larg.

Ian Bremer

“Është interesante se nuk është vetëm Rusia që nuk paraqet rrezik. Asnjë nga vendet e njohura me shkurtesën BRIK, që përfaqësojnë ekonomitë me rritjen më të madhe dhe tregjet me zhvillimin më të shpejtë, nuk janë rrezik për stabilitetin. As Brazili me presidenten e re, as India, e madje as Kina nuk janë kërcënime gjeopolitike”.

“Rasti i Kinës është pak më i ndryshëm, pasi ajo paraqet një lloj rreziku duke u nisur nga rritja e shpejtë, që duke u vënë në raport me madhësinë, sjell disa probleme që kanë të bëjnë me stabilitetin përballë pjesës tjetër të botës”,
sqaron Bremer nga Euroasia Group.

Ulja e rrezikshmërisë së Rusisë, sipas ekspertit Bremer, ka të bëjë dhe me faktin se Moska ka forcuar pozitat e saj në pjesë të caktuara të botës.

“Duke marrë parasysh rënien relative të fuqisë së Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ka ndodhur që Rusia të jetë shumë më dominuese në hapësirën e Euro-Azisë, përfshirë këtu Gjeorgjinë, Kirgizinë, Ukrainën apo Bjellorusinë. Rusët nuk kanë nevojë të shqetësohen më për zgjerimin e NATO-s dhe as për mburojën raketore amerikane”.

“Duke pasur parasysh gjendjen ekonomike Amerika do të shpenzojë shumë më pak në fushën e mbrojtjes. Nga ana tjetër, gjëja e fundit që duan evropianët është përkeqësimi i raporteve me Rusinë. Në këtë kuptim, Rusia ka të drejtë të ndihet më e sigurt nga pikëpamja gjeopolitike”
, thekson Bremer.

Një tjetër rezultat interesant i analizës së bërë nga Euroasia Group, ka të bëjë me Iranin, i cili nuk shihet si rrezik gjeopolitik.

“Ajo çfarë mendojmë është se iranianët do të vazhdojnë me diplomacinë, sa i përket programeve bërthamore. Nuk do të ketë një zgjidhje diplomatike, së paku jo në pjesën e parë të 2011. Derisa kjo të ndodhë, amerikanët do t’i fokusojnë energjitë te sanksionet ndaj Iranit. Sanksioneve pak kohë më parë iu bashkua dhe India. Në këtë kuptim, ka shumëçka për të bërë përpara se të nisim të mendojmë për sulmet ndaj Iranit”,
përfundon Ian Bremer. (i.b)
XS
SM
MD
LG