Ndërlidhjet

NYT: Nën rrethim


Kishë në Bagdad
Kishë në Bagdad
Të krishterët janë nën rrethim të vazhdueshëm në Egjipt dhe Irak. Gjatë viteve të kaluara, qindra të krishterë janë vrarë apo plagosur në sulme, ndërkohë që dhuna i rrit edhe më tej tensionet politike dhe sektare në të dy vendet. Të gjithë njerëzit, pavarësisht besimit të tyre, duhet të jenë të zemëruar.

Incidenti më i fundit në Egjipt ndodhi në Aleksandri në natën e Vitit të Ri. Njëzet e tre njerëz u vranë dhe rreth 100 u plagosën nga bomba që shpërtheu pas mesnatës në Meshën e Kishës Koptike. Që atëherë, tri ditë ka pasur trazira ngaqë të krishterët koptë dolën në rrugë dhe kërkuan mbrojtje nga qeveria.

Egjipti zakonisht përpiqet t’i mbulojë gjërat, duke i fajësuar aktorët e huaj për dhunën e myslimanëve ndaj të krishterëve, ndërsa presidenti Hosni Mubarak shpejtoi t’i akuzojë “duart e huaja”. Më vonë, zyrtarët thanë se egjiptianët lokalë, gjithashtu, mund të kenë qenë të përfshirë. Autoritetet duhet t’i gjejnë dhe t’i përndjekin të gjithë përgjegjësit.

Fatkeqësisht, ekstremistët kanë një tokë të pëlleshme në Egjipt, ku toleranca dhe diversiteti çmoheshin një kohë. Qeveria e Mubarakut ka një histori të gjatë të shtypjes së fundamentalistëve myslimanë, duke i radikalizuar edhe më tej grupet e këtilla.

Dhe, tash, kur mbështetja politike për të është zbehur, ai u përpoq të kënaqë shumicën myslimane duke diskriminuar pakicat tjera fetare, veçanërisht koptët e krishterë, që përbëjnë afro 10 për qind të popullatës, dhe komunitetin më të vogël bahai.

Ndërkohë, mijëra të krishterë kanë braktisur Irakun që nga sulmi në kishën në Bagdad ku u vranë 51 besimtarë dhe dy priftërinj, që i parapriu vargut të sulmeve dhe atentateve ndaj të krishterëve. Shteti islamik i Irakut, grup i afërt me Al Kaidën, e pranoi përgjegjësinë për sulmin në kishën dhe u kërcënua me sulme tjera.

Liderët e Irakut, përfshirë kryeministrin Nuri Kamal al-Maliki, janë zotuar ta shtrëngojnë sigurinë dhe kanë bërë thirrje për tolerancë për besimet e minoriteteve. Ata, gjithashtu, duhet të sigurohen se sulmuesit do të sillen para drejtësisë.

Sulmet ekstremiste nuk duhet të bëhen justifikim për më shumë autoritarizëm as në Irak e as në Egjipt. Por, nëse dy qeveritë nuk i sjellin gjërat nën kontroll dhe nuk krijojnë siguri për të gjithë qytetarët e tyre, atëherë do të vuajnë shoqëritë e tyre, dikur të larmishme. Zoti Mubarak dhe zoti Maliki duhet ta gjejnë baraspeshën e duhur, shpejt.(v.p)
XS
SM
MD
LG