Ndërlidhjet

logo-print

Hungaria e gatshme ta ndryshojë Ligjin për media


Hungaria është kryesuesja e radhës e Bashkimit Evropian

Hungaria është kryesuesja e radhës e Bashkimit Evropian


Derisa po rritet zemërimi lidhur me ligjin kundërthënës për media, kryesuesja e radhës së Bashkimit Evropian, Hungaria, duket se i ka parasysh kritikat lidhur me këtë ligj, pasi ka njoftuar se do ta ndryshojë Ligjin për media, nëse është e domosdoshme.

Kryeministri Viktor Orban, i tha një grupi të gazetarëve të jashtëm në Budapest, se qeveria e tij është e gatshme të bashkëpunojë, nëse BE-ja vlerëson se në formën e tij të tashme, ligji është i papranueshëm.

Mbrojtësit e ligjit, i cili të gjitha mediat e shkruara, transmetuesit dhe internetin, i fut nën mbikëqyrjen e një komiteti të fuqishëm shtetëror, thanë se ai do ta mbrojë “dinjitetin njerëzor” dhe do të parandalojë raportime të “pabalancuara”.

Zëdhënësja e Qeverisë së Hungarisë, Anna Nagy, tha se ligji po i mbante “trendët evropianë” dhe nuk do ta pengojë Hungarinë për presidencë “shumë të suksesshme” në BE.

“Nëse ju i shikoni pikat, dhe unë shpresoj se kritikët e këtij ligji do të gjejnë kohë dhe do ta kontrollojnë ligjin pikë për pikë, ju do të gjeni se secili element i këtij ligji për media, do të mund të gjendet në rregullimet për media në shtetet e tjera evropiane, në Suedi, në Francë, ose në Britani”,
tha Anna Nagy.

Por, kritikët thonë se ligji është një përpjekje e fshehtë që mediat të mos jenë të lira dhe që ato të kthehen në gazetarinë e stilit shtetëror sovjetik.

Partia Fidesz e kryeministrit Orban, që e ka shumicën prej 2/3 në Parlament, ishte në gjendje që ta miratojë ligjin me pak opozitë politike dhe pothuajse secili anëtar i Këshillit të ri mbikëqyrës për media, është anëtar i partisë Fidesz.

Ligji ka shkaktuar zemërim të madh në mesin e gazetarëve të Hungarisë. Menaxheri i një radiostacioni, Gabor Csabai, thotë se media duhet të jetë e lirë dhe të operojë pa kontrollin e qeverisë.

“Natyrisht, ne e pranojmë se në një masë qeveria mund të intervenojë, në disa raste madhore, në lirinë e mediave, kur liria e shtetit është e rrezikuar. Por, në të gjitha rastet e tjera, ata duhet t’i mbajnë duart larg nga mediat”, theksoi Gabor Csabai.

Komuniteti ndërkombëtar, po ashtu, ka reaguar ashpër ndaj ligjit të përmendur. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), tha se ligji i ri i shkel standardet themelore të lirisë së mediave dhe ka forcë që t’i “heshtë mediat kritike dhe debatin publik”.

Vendet me ndikim në Bashkimin Evropian, Gjermania, Britania dhe Franca, e kanë kritikuar ligjin e ri, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm gjerman, Uerner Hoyer, tha se Hungaria nuk duhet të lejohet të zhvillojë negociata për çështje të mediave me vendet lindore partnere të BE-së, të cilat kanë probleme të veta me represion të mediave.

Për shumë persona në Bashkimin Evropian, qëndrimi refuzues i Hungarisë ndaj kësaj çështjeje, ishte zhgënjyes, pasi ata e mbajnë mend Viktor Orbanin si antikomunist të përbetuar, i cili ka luajtur rol kritik në tranzicionin e vendit të tij në demokraci të re, por të guximshme.

Disa zyrtarë evropianë, sikur ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, kanë shkuar edhe më larg duke shtruar edhe pyetjen se a ia vlen që Hungaria ta kryesojë Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian e ka hapur hetimin për këtë ligj.

Kryetari i tij, Hose Manuel Barroso, tha se zyrtarët i kanë paraqitur shqetësimet e tyre dhe po pritet përgjigje nga Budapesti.

“Ajo që unë dua nga autoritetet e Hungarisë është qartësimi i situatës dhe le të themi tërheqja e mundshme e dyshimeve që ekzistojnë. Sigurisht se për këtë çështje do të diskutoj me kryeministrin Orban”,
tha Barroso.(f.b.)
XS
SM
MD
LG