Ndërlidhjet

Rasti "Medicus", vendimi pas 15 ditësh


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar seanca e konfirmimit të aktakuzës lidhur me një rrjet të dyshuar për trafikim me organe të njerëzve, i njohur ndryshe si rasti “Medicus”. Shtatë shtetasit e Kosovës, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të trafikimit me organe, janë paraqitur para gjyqtarit për konfirmim të aktakuzës.


Një gjykatës i Bashkimit Evropian, Victor Paradal, ka kryesuar të enjten seancën dëgjimore për konfirmimin e akuzave të ngritura kundër shtatë kosovarëve, të dyshuar se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore.

Në seancën që u mbajt në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, prokurori i BE-së, Jonathan Ratel, ka thënë se “njerëz të varfër ishin sjellë në Kosovë nga vendet e jashtme, me premtime të rrejshme për të marrë pagesa për veshkat e tyre, organe këto të cilat pastaj u janë shitur pranuesve për transplantime të paligjshme”.

Në aktakuzë thuhet se viktimat vinin kryesisht nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, nga një jetë në kushte ekstreme të varfërisë. Atyre u premtohej një shumë deri në 14,500 euro për veshkat e tyre, kurse pranuesit, sipas aktakuzës, paguanin midis 80,000 dhe 100,000 euro.

Zoti Ratel ka sqaruar se hetimet për këtë rast kishin nisur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në nëntor të 2008-ës, kur një i ri turk ishte alivanosur në praninë e policëve kufitarë.

Prokuroria pretendon se atij vetëm disa orë më parë i ishte hequr veshka në klinikën private “Medicus”, në periferi të Prishtinës.

Ky qytetar turk ka shpëtuar pas ndihmës mjekësore që kishte marrë, kurse pranuesi i veshkës së tij, një izraelit me emrin Bezelel Shafran, sipas prokurorit Ratel, ka ndërruar jetë.

Përveç shtatë kosovarëve, njeriu që cilësohet të jetë kryesori, është një mjek turk me emrin Yusuf Sonmez, i cili, sipas prokurorisë, “ka qenë i përfshirë dhe është pjesëmarrësi kyç në operacionet” që janë bërë në klinikën “Medicus”.

Sonmez është në arrati. I njëjti, sipas prokurorit të EULEX-it, është duke u kërkuar edhe nga Interpoli, në mënyrë që të sillet në bankën e të akuzuarit.

Pas seancës së sotme, gjykatësi ka 15 ditë për të vendosur nëse aktakuza mund të konfirmohet për të nisur një proces gjyqësor.

Zëdhënësja e EULEX-it për çështje të drejtësisë, Kristina Herodes, jep më shumë hollësi...

“Seanca dëgjimore e konfirmimit të aktakuzës sot ka marrë fund, por tani gjykatësi ka afat kohor prej 15 ditësh për të marrë vendim për të konfirmuar ose për të hedhur poshtë akuzat. Do të jetë një vendim me shkrim nga gjykatësi, i cili do t’u komunikohet palëve të përfshira në këtë rast”,
ka deklaruar Herodes.

Avokatët mbrojtës të të dyshuarve kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të paargumentuara.

Bajram Tmava, avokat mbrojtës i të akuzuarit Lutfi Dervishi, udhëheqës i klinikës “Medicus”, ka thënë se shumë fakte, të cilat janë përmendur në aktakuzë, nuk qëndrojnë.

“Prokurori publik e ka lexuar aktakuzën dhe i ka paraqitur provat, në të cilat e ka bazuar aktakuzën. Ndërkaq, ne avokatët mbrojtës ato prova i kemi kundërshtuar, i kemi kundërshtuar me argumente, duke menduar se aktakuza nuk ka prova, në të cilat mbështetet dhe nuk ka faktet. Një pjesë të fakteve i kemi kontestuar si prova të papranuara; si çështja e kontrollimit të klinikës ‘Medicus’ nga ana e organeve dhe policisë gjyqësore. Ata prova janë bërë pa prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pa urdhër të gjyqtarit hetues, dhe i kemi konsideruar si prova të papranuara”,
ka thënë Tmava.

Në fund të vitit të kaluar prokurori i EULEX-it në një seancë dëgjimore shtatë të akuzuarve ua ka lexuar aktakuzën prej pesë pikash.

Ata akuzohen për veprat penale: krim të organizuar, trafikim të qenieve njerëzore, transplantim të organeve, ushtrim të veprimtarisë mjekësore në mënyrë të paligjshme dhe shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e klinikës “Medicus”, në të cilën, sipas prokurorisë, janë kryer të paktën 30 operacione të paligjshme.

Të akuzuarit janë: Lutfi Dervishi, Arban Dervishi, Ilir Rrecaj, Sokol Hajdini, Islam Bytyçi, Sylejman Dula dhe Driton Jilta.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG