Ndërlidhjet

(Pa)varësia e Gjyqësorit në Maqedoni


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Çështja e pavarësisë së Gjyqësorit në Maqedoni shihet nga këndvështrime të ndryshme nga pushteti dhe ekspertët. Ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski, thotë se gjyqësia në Maqedoni po shënon përparime të theksuara në drejtim të pavarësisë dhe rritjes së efikasitetit të punës së gjykatave. Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet eksperti Osman Kadriu. Ai, madje, nuk është optimist se edhe gjatë këtij viti do të arrihet që në Maqedoni të vendoset një sistem i pavarur gjyqësor.


Ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski, beson se edhe viti 2011 do të kalojë në shenjë të realizimit të njërit nga prioritetet e qeverisë për pavarësimin e plotë të pushtetit gjyqësor në Maqedoni.

Manevski thotë se periudhën e kaluar janë arritur rezultate të mëdha sa i përket efikasitetit të Gjyqësorit të vend.

“Në arkivat e gjykatave tani ka rreth gjysmë milioni më pak lëndë gjyqësore se në të kaluarën. Kjo është rezultat i punës së bërë për zbatimin e reformave në pushtetin gjyqësor, andaj me përgjegjësi të lartë e themi se 2010-ta ishte vit i rezultateve më të mëdha të realizuara në pushtetin gjyqësor. Janë miratuar ligjet themelore të kësaj sfere, që në një afat më të gjatë kohor garantojnë pavarësimin e punës së gjykatave”
, thotë Manevski.

Ai, gjithashtu, mohon pretendimet e ndryshme për ndërhyrje të shtetit në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

“Absolutisht nuk është e vërtetë se dikush bën presione ndaj gjykatësve. Mendoj se gjithë atë që jemi duke e bërë për momentin, ka të bëjë me sigurimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efikas, larg ndikimeve politike”
, thekson Manevski, duke paralajmëruar edhe për këtë vit aktivitete për të hequr nga rendi i ditës çështjen e pushtetit gjyqësor.

Por, ekspertët për çështje juridike nuk janë optimistë se Gjyqësori në Maqedoni edhe gjatë vitit 2011 do të arrijë objektivin e pavarësisë dhe të efikasitetit në raport me kërkesat e qytetarëve, por edhe të evitimit të kritikave të shumta nga bashkësia ndërkombëtare.

Eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu, thotë se të gjitha dukuritë negative të pushtetit gjyqësor vështirë se do të mund të evitohen edhe gjatë këtij viti, për shkak të, siç shprehet ai, mungesës së gatishmërisë së dy pushteteve tjera për të hequr dorë nga kontrolli i punës së gjykatave.

“Ne nuk kemi gjyqësor të pavarur, meqë përsëri kemi raste konkrete kur para gjyqësorit paraqiten pushtetet tjera dhe presioni politik shpeshherë ndikon që të mos kemi vendime juridike, por vendime politike. Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian në vend të parë theksohet gjyqësori, duke insistuar në pavarësimin e plotë të tij, që është kusht, pa të cilin nuk mund të kemi një gjyqësor, që do t'i përgjigjej kompetencës dhe funksionit që ka”,
vlerëson Kadriu.

Ndërsa, duke komentuar pohimet e ministrit Manevski se qeveria ka arritur t’i miratojë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me gjyqësinë, Kadriu shprehet:

“Nuk mjafton vetëm miratimi i rregullores pozitive, por kërkohet që ajo rregullore edhe të zbatohet. Bazuar në proceset që ndodhin sot para gjyqësorit, nuk mund të flasim se kemi një Gjyqësor të pavarur”.


Edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit, kishte veçuar pikërisht pushtetin gjyqësor si një nga pika më të dobëta të sistemit në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG