Ndërlidhjet

logo-print

Rritja e pagave (s’)rrezikon raportet me FMN-në


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Rritja e pagave për kategoritë që paguhen nga buxheti i Kosovës, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, do të kapë shumën prej 100 milionë eurosh, ka bërë të ditur Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave. Ai ka theksuar se ezistojnë mundësi për kursime, nga të cilat do të financohet rritja e të ardhurave.

Financimi i këtyre rritjeve do të jetë nga kursimet, të cilat nuk do të cenojnë funksionalizimin e shtetit. Kudo dhe në cilëndo ministri që shkoni, në cilëndo komunë që shkoni, ka vend për kursime, sidomos në mallra dhe shërbime. I kemi identifikuar ato edhe gjatë vitit 2010”.

“Kemi identifikuar një përqindje të konsiderueshme, e cila do të jetë në dispozicionin tonë gjatë propozimit të buxhetit për vitin 2011, në parlamentin e ridizajnuar”,
është shprehur Shala.

Berat Rukiqi, ekspert për ekonomi në Odën Ekonomike të Kosovës, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave duhet të zbatohet nga ekzekutivi.

Sipas tij, burimet, nga të cilat pretendohet të sigurohen mjetet, janë: zvogëlimi i ekonomisë joformale, evazioni fiskal dhe kursimi në mallra dhe shërbime.

Përderisa është vendim i Qeverisë, atëherë është vendim i plotfuqishëm dhe si i tillë duhet të implementohet. Buxheti shpenzohet aq sa ka të hyra. Nëse arrihet që nga zvogëlimet e ekonomisë joformale dhe evazioni fiskal të sigurohet një pjesë e madhe e këtyre mjeteve, atëherë nuk rrezikohet buxheti”.

“Mirëpo, duhet një punë shumë e madhe, në mënyrë që të sigurohen mjetet edhe përmes kësaj forme. Pra, të shikohet mundësia e rritjes së buxhetit për 130-150 milionë euro për çdo vit”,
ka thënë Rukiqi.

Nevoja për rritjen e pagave ekziston, ka deklaruar Lumir Abdixhiku, ekspert për ekonomi në Institutin Riinvest, porse mënyra se si po bëhet kjo rritje, sipas tij, nxit dyshime për qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës.

“Mos të harrojmë se viti 2011 është një vit i gjatë dhe i shumë sfidave për Kosovën. Ne kemi filluar një projekt qindra milionësh të autostradës. Kemi bërë rritje të pagave në vazhdimësi. Në anën tjetër, të hyrat buxhetore të vendit tonë kanë mbetur konstante”.

“Vetë deklarimi i ministrit dhe i kryeministrit se këto të hyra fillimisht do të sigurohen prej granteve dhe më pas prej kursimeve tjera, shfaq më së miri pikturën dhe fotografinë e krejt gjendjes buxhetore në Kosovë, meqenëse nuk ka një orientim të qartë apo nuk ka një burim të qartë të financimit për këto paga”,
ka vlerësuar Abdixhiku.

Në shumë raste, skeptikët në Kosovë kanë shfaqur drojën se një vendim i Qeverisë për rritjen e pagave do të vinte në luhatje marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Por, ministri në dorëheqje, Shala, ka thënë se premtimi do të mbahet dhe se do të bisedohet edhe me FMN-në për këtë çështje.

Fjala e dhënë duhet të jetë e bërë... Do të negociojmë profesionalisht, fuqishëm dhe me sens të specifikave që i ka Kosova. Nuk do të mund dhe nuk do të duhet që asnjë program, qoftë edhe ai me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të jetë më i fuqishëm sesa vetë zhvillimi ekonomik, stabiliteti i vendit dhe perspektiva e tij euro-atlantike”.

“Në këtë drejtim, kjo është platforma me të cilën do të negociojmë me Fondin dhe me të gjitha institucionet tjera”,
ka thënë Shala.

Ndërsa, Rukiqi ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës duhet që të rinegociojë me FMN-në lidhur me vendimin për rritjen e pagave.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që në kuadër të kornizave të këtij buxheti të mos ketë rritje 7 deri në 8 për qind. Mirëpo, nuk e parandalon rritjen e buxhetit me vlerë të përgjithshme. Nëse rritet buxheti në vlerë të përgjithshme diku për 10 për qind, atëherë sigurisht kjo do të duhej të rinegociohej edhe me FMN-në”, ka thënë Rukiqi.

Por, Abdixhiku ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave bie ndesh me kontratën aktuale, të cilën Kosova e ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij, në kontratë thuhet se nuk mund të ketë rritje të pagave pa rritje të të hyrave.

“Në qoftë se ne në njërën anë kemi krijuar obligime dhe në anën tjetër kemi mbetur pa alternativë në të hyra, ne do të duhet t’i shesim të gjitha asetet nacionale me nguti, për t’iu shmangur deficitit”.

“Nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të fillojë sanksionet financiare ndaj vendit tonë ose ndalesën e ndihmave financiare, që i kanë premtuar gjatë vitit 2010, e që kapin shuma mjaft të mëdha
”, është shprehur Abdixhiku.

Ai ka thënë gjatë vitit 2011, kostoja e vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave do të bartet në vendime të shpejta dhe të pafavorshme financiare për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG